VV zgjedh “yjet” e Pasarelës së Turpit
Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë vazhduar dhe sot me aksionet e tyre simbolike kundër Qeverisë. Në sheshin “Nëna Terezë” në kryeqytet, VV ka vizatuar “Pasarelën e Turpit” me emrat e “yjeve”, sikur i kanë quajtur ata, të hajnisë së pronës publike, të mirëqenies së qytetarëve dhe të së ardhmes së Kosovës.
“Vetëvendosje” ka zgjedhur si “më të famshmit”: kryeministrin Hashim Thaçi me zv.kryeministren Edita Tahiri dhe ministrat Besim Beqaj, Bedri Hamza, Hajredin Kuçi dhe Bajram Rexhepi.
“Bulevardi Hollywood është i mbushur përplot yje që shënjojnë emrat e më të arriturve në skenën e filmit. “Walk of Fame” apo “Pasarela e Famës” është mishërim i të arriturave. Të frymëzuar nga Walk of Fame, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka shndërruar bulevardin më të famshëm në Kosovë, në Walk of Shame – Pasarela e Turpit, meqë udhëheqësit e kësaj Qeverie janë mishërim i turpit të këtij vendi, të këtij populli dhe kësaj shoqërie”, ka thënë aktivistja Puhie Demaku, gjatë këtij aksioni.
“Ata po e plaçkisin shtetin dhe popullin duke u thirrur në emër të kombit e në emër të sovranitetit, pikërisht, duke përbuzur popullin dhe duke përmbysur edhe atë pak sovranitet që e gëzojmë”, ka shtuar ajo.
“Kosovës po i vidhet territori përmes dialogut me Serbinë. Kosovës po i vidhet buxheti përmes korrupsionit. Kosovës po i vidhen asestet përmes privatizimit”, ka theksuar Demaku.
Në vend të njohjeve ndërkombëtare, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, Kosovës po i shtohet numri i njollave ndërkombëtare. “Në çdo raport ndërkombëtar, Kosova etiketohet me fyerjet më të rënda të cilat nuk përkojnë me vlerat e këtij populli, por që përkojnë me mospunën dhe me abuzimet e udhëheqësve të kësaj qeverie”.
Sipas Demakut, Kosova sot është vendi më i izoluar në Evropë, me shkallën më të lartë të papunësisë, me shkallën më të lartë të varfërisë dhe me shkallën më të lartë të korrupsionit. “E pazhvilluar ekonomikisht, e pasigurt territorialisht, e panjohur ndërkombëtarisht dhe e cunguar politikisht. Një qeveri që kujdeset që çdo ditë popullit t’i shërbehet një dozë e madhe e lajmeve të kobshme e që çdo ditë e më shumë e detyron popullin që të vetmen mundësi atdhedashurie ta shoh ikjen nga atdheu, meriton të ketë Pasarelë të Turpit apo Walk of Shame...sepse këto “yje” janë meritorët e gjendjes së mjerueshme në të cilën gjendet shteti më i ri”, ka vazhduar ajo.
Lëvizja Vetëvendosje i ka ftuar dhe sot qytetarët që të mërkurën me 22 qershor të bashkohen në protestën paqësore, me qëllim që “Kosovës t’i kthehet parasrela e krenarisë dhe e dinjitetit, dhe t’i hiqen yjet dhe njollat e turpit”.