Jaupaj: Asnjë ndërtim i mirëfilltë në “Pish Poro-Nartë”, rrethim i një prone private me leje të KKMT

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se ndërtimi i aeroportit të Vlorës nuk po shkakton degradim të zonës së mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, duke theksuar se kjo zonë klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur” i kategorisë 5, sipas legjislacionit shqiptar për zonat e mbrojtura.
Sipas ministrit, po krijohet një konfuzion dhe dezinformim sa i takon zonës “Pishë Poro-Nartë” dhe zonës së lumit Vjosa. Ai sqaroi se Vjosa është “Park Kombëtar”, kategoria 2, ndërsa “Pishë Poro-Nartë” është “Peizazh i Mbrojtur”, kategori 5, ku legjislacioni lejon zhvillimin e disa aktiviteteve turistike dhe investimeve të caktuara.
Jaupaj, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve gjatë bashkëbisedimit me ta, tha se aktualisht në zonë nuk po zhvillohet ndonjë ndërtim i mirëfilltë, por vetëm një rrethim i një prone private, i miratuar me leje të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të Territorit, për realizimin e survejimeve biologjike. Ai theksoi se ky aktivitet, sipas ligjit, nuk kërkon procedurë të posaçme të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
“Subjektet përkatëse kanë bërë njoftimet pranë agjencive rajonale dhe aktiviteti monitorohet çdo ditë”, u shpreh ministri, duke shtuar se debati duhet të mbështetet te legjislacioni dhe jo te dezinformimi.
Lidhur me ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe standardet evropiane, ministri Jaupaj nënvizoi se kategoritë e mbrojtjes përcaktojnë edhe nivelin e aktiviteteve të lejuara. Sipas tij, në zonat e kategorisë 5 lejohen disa zhvillime turistike, për aq kohë sa respektohen kriteret ligjore dhe mjedisore.
Ministri Jaupaj komentoi edhe çështjen e lejeve për parqet fotovoltaike, duke deklaruar se ato nuk janë vendosur në zona pyjore, por kryesisht në kullota. Ai theksoi se vende të ndryshme të Evropës kanë zhvilluar teknologji të ngjashme për të garantuar pavarësinë energjetike, madje edhe në toka bujqësore.
“Në tetë muaj që jam ministër i Mjedisit, nuk di të kem hequr asnjë fond pyjor për investime në parqe fotovoltaike apo në zona pyjore”, tha Jaupaj.
Sipas tij, në kushtet aktuale gjeopolitike dhe energjetike, siguria energjetike mbetet një prioritet për vendin dhe rajonin.
/e.i/j.p/r.e/