E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Nisin punimet për Korça Talent Garden, qendër moderne dedikuar kreativitetit

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se kanë nisur zyrtarisht punimet për projektin “Korça Talent Garden”, një nismë që synon transformimin e një hapësire të pashfrytëzuar në një qendër moderne të dedikuar për kreativitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin.

Sipas Jaupajt, projekti i ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit në kuadër të programit “SA CREATIVITY”, vë theksin e veçantë tek afrimi i të rinjve me natyrën, në bashkëpunim edhe me Administratën e Zonave të Mbrojtura të Korçës.

Kjo qendër pritet të shërbejë si një hapësirë multifunksionale, ku do të ndërthuren aktivitetet artistike, edukative dhe inovative.

Jaupaj nënvizoi se “Korça Talent Garden do të krijojë më shumë mundësi për artistë, të rinj dhe sipërmarrës, duke kontribuar në zhvillimin e industrive kreative dhe duke e pozicionuar Korçën si një pikë referimi në rajon”.

Përmes organizimit të eventeve, trajnimeve, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe programeve mbështetëse për të rinjtë dhe gratë, projekti synon të nxisë inovacionin dhe përfshirjen.

Kjo nismë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në gjallërimin e jetës kulturore dhe sociale të qytetit, duke kontribuar në krijimin e një peizazhi kreativ më të qëndrueshëm dhe të zhvilluar për Korçën.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›