Rama: Turistë nga e gjithë bota zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë këtë pranverë

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj gjatë pranverës, duke rivalizuar sezonin veror.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit me përshtypjet e turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
”Turistë nga e gjithë bota kanë zgjedhur këtë pranverë Shqipërinë, një destinacion me mijëra arsye për t’u zbuluar. Nga Europa në Azi dhe përtej, vizitorë ndërkombëtarë mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me kuriozitetin për të eksploruar Shqipërinë dhe largohen me dëshirën për t’u rikthyer. Një eksperiencë që tanimë është edhe më e lehtë dhe më e integruar përmes aplikacionit TEA”, theksoi Rama.
“Është hera e parë në Shqipëri, po presim të eksplorojmë turizmin këtu”, tha një turist.
Një çift turistësh nga Budapesti tha se “po planifikojmë të bëjmë një shëtitje dhe shpresojmë ta shijojmë shumë”.
“Po udhëtoja për në Bullgari, por çmimet atje nuk ishin të lira. Dëgjova që Shqipëria është më e përballueshme dhe e rekomanduar kështu që vendosa të vij”, tha një turist.
Një tjetër turiste u shpreh se është një vend shumë i bukur.
“E kemi shijuar qëndrimin këtu. Vizituam Ohrin në Maqedoninë e Veriut dhe gjithashtu dje ishim në Berat. Udhëtimi ishte i mrekullueshëm, jeni njerëz të sjellshëm dhe mikpritës”, tha turistja.
“Jam këtu me kolegët vijmë nga Rotary Club Pitesti Unity, jemi këtu për një binjakëzim me Rotary Tirana International. Kemi ardhur për të krijuar miqësi të reja dhe për të vizituar Tiranën, është hera e parë për ne”, tha presidentja e Rotary Club Pitesti Unity.
Shqipëria vijon të mbetet destinacion i preferuar turistik, konfirmuar kjo edhe nga shifrat gjithnjë në rritje të vizitorëve. Vetëm gjatë muajit mars Shqipëria mirëpriti 609.363 vizitorë të huaj, një rritje prej 59.598 turistësh krahasuar me marsin e vitit 2025, ose rreth 11% më shumë.
/k.s/j.p/