Rama: Ligji i ri për portet turistike nxit investimet në bregdet

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndryshimet në ligjin për portet turistike janë domosdoshmëri për të mos penguar investitorët që investojnë në bregdet.
Në një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, Rama reagoi ndaj pretendimeve të ngritura nga opozita se qeveria apo e ndryshon ligjin se do t’i japi portet oligarkëve.
“Kemi një ndryshim krejt të thjesht për portet në parlament, por u vu alarmi edhe në BE. U çua nga këtu atje, se në këtë pikë jemi i pari dhe i fundit vend kandidat në historinë e zgjerimit të BE-së që eksportojmë baltë dhe helm nga kryeqyteti ynë drejt kryeqyteteve të tjera. U tha se qeveria po e ndryshon ligjin se do t’i japi oligarkëve portet”, shtoi Rama.
Në fakt, kryeministri theksoi se bëhet fjalë për ato raste kur investitorët në bregdet vijnë me një projekt që ka edhe një marinë të vogël.
“Përgjigjja që marrin është që mund ta marrësh lejen për këtë pjesën tjetër të projektit, por për marinën duhet bërë tender. Sepse në ligjin ekzistues, duke qenë se deti është nën administrimin total të shtetit, për portet turistike që ndërton dhe që nxjerr në garë qeveria bëhet garë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne jemi një vend me deficencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det, ndërsa vendet e tjera kanë qindra porte dhe vend ankorime”.
“T’i thuash investo gjithë këtë këtu, por për parkimin e mjeteve detare do të bëjmë një garë do të thotë që të krijosh territor luftërash. Dhe ai që bën investimin mund ta heqë fare projektin”, shtoi Rama.
Rama sqaroi se “këtu nuk flitet për porte si marina e Durrësit apo e Vlorës që janë porte të mëdha turistike, por këtu flitet për porte të vogla”.