E Diel, 1 Nëntor 2026

Tubimi i PD – Gjykata lë në burg pesë protestues, gjashtë në “detyrim paraqitje”

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Gjyakata e Tiranës vendosi sot të lë në “arrest me burg” pesë nga protestuesit e ndaluar të premten në mbrëmje gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike.

Po ashtu gjyqtari Enkel Peza pranoi kërkesën e prokurorisë edhe për vendosjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për gjashtë protestues të tjerë të cilët u ndaluan gjatë të po njëjtit tubim më 17 prill 2026.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot, prokuroria argumentoi se pesë prej të ndaluarve u kapën me molotovë në duar, teksa po tentonin të godisnin godinën e Këshillit të Ministrave me to. Organi akuzës akuzon protestuesit e ndaluar për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës me zjarr”, “Kundërshtim i punonjësit të rendit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e mjeteve të rrezikshme”.

Gjatë seancës mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Enkel Peza me argumentin se ai dhe familjaret e tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të Partisë Socialiste në Kavajë. Por, kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtari Dritan Hallunaj.

Të pranishëm në seancë ishin dhe një grup deputetësh të PD, me në krye sekretarin e Përgjithshëm të selisë blu, Flamur Noka.

Nga krahu tjetër, PD ka paditur ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kryepolicin Skënder Hita dhe gjithë zinxhirin drejtues të Policisë me argumentin, kanë drejtuar aksionin ndaj protestuesve të opozitës dhe kanë përdorur ndaj tyre spraj kundër ariut.

Gjykata e Tiranës caktoi masën “Arrest me burg” për:  Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvel Tocilla dhe Semi Bici.

Gjykata vendosi masën “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për: Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari,  Igball Domi, Gentjan Tuga, Ernest Kapo, Edison Shyti.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›