Malaj: 37 milionë lekë kostoja e uljes së akcizës së karburanteve, deri tani e përballueshme

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Në Kuvend u prezantua sot Akti Normativ për ndryshime në ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim zbutjen e ndikimeve nga luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të hidrokarbureve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se nisma lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në tregjet globale, të ndikuara nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe pasojat e tij në ekonominë shqiptare.
“Akti Normativ lidhet drejtpërdrejt me nevojën dhe urgjencën e diktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, me ndikim edhe në ekonominë shqiptare”, u shpreh Malaj.
Ai theksoi se qeveria reagoi menjëherë duke shpallur situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe duke aktivizuar Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve dhe marzheve të fitimit.
Sipas ministrit, “akti normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri është i përkohshëm, i domosdoshëm dhe synon mbrojtjen e konsumatorit, duke sjellë një lehtësim total prej rreth 9,45 lekë për litër.
“Deri më tani, efekti financiar nga aplikimi i kësaj mase llogaritet në rreth 37 milionë lekë të ardhura të munguara nga akciza, një kosto e përballueshme për buxhetin e shtetit, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve”, tha Malaj.
“Financat publike të shëndosha dhe treguesit se ekonomia jonë mbështetet mbi baza të qëndrueshme na krijojnë jo vetëm hapësirat e nevojshme buxhetore për të ndërmarrë politika sociale në mbështetje të shtresave më në nevojë, por edhe sigurinë për të përballuar me qëndrueshmëri çdo sfidë apo goditje të mundshme, nëse situata ndërkombëtare zgjatet apo përshkallëzohet”, tha ministri.
Malaj bëri të ditur se deri tani janë zhvilluar 16 mbledhje të Bordit të Transparencës dhe janë kryer 66 kontrolle të përbashkëta nga administratat tatimore dhe doganore, ku janë konstatuar edhe shkelje. “Në rast përshkallëzimi të krizës, prioritet do të kenë shtresat në nevojë. Çdo plan masash që do të merret do të konsultohet edhe me FMN. Ky akt normativ është instrument i përkohshëm, i domosdoshëm dhe në përputhje me Kushtetutën që synon të amortizojë goditjen e krizës dhe mbrojë qytetarët shqiptarë”, tha Malaj.
Ai theksoi se inflacioni në muajin mars është regjistruar në 2,6%, brenda objektivave makroekonomikë dhe i vlerësuar i qëndrueshëm nga institucionet financiare ndërkombëtare.
/r.e/