Jaupllari: Farmacist-mjek, lidhje të dyfishta
Mjekët bashkëpunojnë me farmacistët, duke i sugjeruar pacientëve të marrin medikamente në barnatore të caktuara. Ndërkohë që kemi më shumë farmaci në qendër, sesa në periferi. Distanca e tyre 100-150 metra nuk po respektohet. Ka shumë prej tyre që po vazhdojnë të ngrenë biznesin fare pranë njëra-tjetrës. Të gjitha këto deklarata janë bërë dje, nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, i cili në një takim të përbashkët mes strukturave shëndetësore dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka referuar se sistemi shëndetësor ka plot mangësi. Për t‘i përmirësuar ato duhet të ketë bashkëpunim të ndërsjellët mes autoriteteve që monitorojnë punën në fusha të caktuara dhe përfaqësuesve të politik-bërjes. Urdhri i Farmacistëve ka denoncuar dje mosrespektimin e distancave për licencimin e farmacive. Sipas presidentit të këtij urdhri, Arjan Jaupllari, vazhdon licencimi i farmacive pa zbatuar kriterin e distancës duke i përqendruar ato të gjitha rreth qendrës e duke anashkaluar periferinë. Jaupllari shpjegon se duhet respektuar një distancë 100-150 metër në varësi të raportit 1 për 3 mijë banorë, për ngritjen e një farmacie. Në konferencën e djeshme, ku merrte pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm në shëndetësi, Jaupllari ka ngritur shqetësimin e lidhjeve të dyfishta mjekë-farmacist. Sipas tij, mjekët i rekomandojnë pacientët t‘i blejnë ilaçet në farmacitë ku ata kanë bashkëpunime. Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve ka kërkuar më tepër bashkëpunim ndërmjet strukturave të shëndetësisë, si dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje, pasi sipas tij, sistemi shëndetësor në vend nuk funksionon siç duhet. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se urdhrat e profesionistëve të shëndetësisë duhet të jenë më të fuqishëm dhe të kërkojnë të përmbushin të gjithë atributet e tyre.
Duke u ndalur tek mënyra e organizimit të sistemit shëndetësor, ministrja e Shëndetësisë tha se: "Jemi përpjekur të instalojmë një lloj mënyre të re menaxhimi të sektorit shëndetësor, që ka të bëjë me një farë ‘cenimi‘ të fuqisë së qendrës dhe rritje të autonomisë dhe fuqisë së strukturave të faktorëve periferikë".
Duke u ndalur tek mënyra e organizimit të sistemit shëndetësor, ministrja e Shëndetësisë tha se: "Jemi përpjekur të instalojmë një lloj mënyre të re menaxhimi të sektorit shëndetësor, që ka të bëjë me një farë ‘cenimi‘ të fuqisë së qendrës dhe rritje të autonomisë dhe fuqisë së strukturave të faktorëve periferikë".