E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ide e çmendur, Napoli në gjurmën e Ronaldinjos

Një ide e çmendur dhe befasuese duket ajo e Napolit për të parë Ronaldinjon në sezonin e ardhshëm të veshur me bluzën e kaltër në "San Paolo" (stadiumin ku më parë shkeli Maradona, idhulli i tij i fëmijërisë). Për sa i përket një transferimi të tij të mundshëm nga Milano, ka folur menaxheri dhe vëllai i tij, De Assis, i cili ka deklaruar: "Nuk ka asnjë mundësi që Dinjo të kthehet në Brazil, siç kanë bërë pak më parë Ronaldo e Adriano". Por De Assis ka zbuluar një kalim të tij të mundshëm në një klub evropian: "Nëse më pyesni a mund të ndërrojë Ronaldinjo skuadër në Evropë, atëherë mund t‘ju them se po". Transferimi është shumë i mundshëm, në rast se ai do të vazhdojë të qëndrojë në pankinën e Milanit të Karlo Ançelotit, i cili preferon më shumë Kakanë. Ronaldinjo ka oferta nga Anglia dhe është shumë i tërhequr nga mundësia për të luajtur në Premier League. Por një mundësi tjetër është Napoli, i cili e tërheq jashtë mase Dinjon. Kjo hipotezë ka lindur pas një darke mes presidentëve De Laurentis e Berluskoni, vetëm disa kohë më parë, në Napoli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›