Java Europiane e Kulturës sjell artistët italianë në Tiranë
Në kuadër të Javës Europiane të Kulturës Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë organizojnë një sërë aktivitetesh mes të cilave koncerte me te ftuar muzikantë të njohur italianë, shfaqje teatrale, simpoziume etj. Ndërkaq, aktiviteti i sotëm që organizohet në kuadër të Javës Europiane të Kulturës është një koncert i flautistit Andrea Griminelli dhe pianistes Irene Veneziano. Shfaqja do të mbahet sot në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në orën 19.00. Artistët do të interpretojnë pjesë nga Shopeni, Shuberti, Rossini, etj. Ndonëse jo i njohur në vendin tonë, flautisti Andrea Griminelli është konsideruar nga kritika amerikane si një ndër “tetë artistët e pazëvendësieshëm të viteve ’90”. Ai është lidhur me flautin qysh në moshën 10-vjeçare dhe sot për sot konsiderohet si një ndër artistët më të mirë të këtij lloji në Itali, por edhe jashtë saj. Madje, Griminelli në cv-në e tij numëron edhe mjaft çmime të rëndësishme të cilat ai i ka “rrëmbyer” falë talentit dhe përkushtimit mjeshtëror artistik të tij. Këtu mund të përmendim “Prix de Paris”. Flautisti ka debutuar për herë të parë përballë publikut në moshën 25-vjeçare në Madison Square Garden, në Nju Jork. Ai ka pasur një numër të konsiderueshëm bashkëpunimesh ndër vite me tenorin e famshëm Luçiano Pavarotti, sidomos, të paharrueshme do të mbeten në këtë aspekt koncertet në Hyde Park, në Londër në vitin 1990, apo në Central Park në Nju Jork më ’93, në Kullën Eiffel në Paris, në Sheshin e Kuq në Moskë, etj. Karriera e tij është bërë nga koncerte të shumta të dhëna në turne të rëndësishme të kryer nëpër Europë, Japoni, Amerikën e Jugut e më gjerë, në gjithë botën. Andrea Griminelli ka dhënë shfaqje në teatro të ndryshme prestigjoze që nga “La Scala” i Milanos, deri te “Carnegie Hall” e Nju Jorkut. Ai ka pasur gjithashtu interpretime të shumta dhe bashkëpunime me orkestrat filarmonike më prestigjoze në botë. Kompozitorë të njohur ndër të cilët hyn dhe Ennio Moricone kanë përgatitur enkas pjesë për t’u luajtur me flautin e maestro Griminelit. Artistit nuk i mungojnë as bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës si Sting, Elton John, Ian Anderson, etj. Kohët e fundit ai ka dhënë koncerte në Amerikën e Jugut i shoqëruar nga kitarristi italian Emanuele Segre. Përsa i përket pianistes Irene Veneziano, e cila do të shoqërojë flautistin e njohur italian edhe në koncertin e tij në metropolin shqiptar ajo është diplomuar me pikë maksimale në degën speciale të Institutit Muzikor “G.Puçini” dhe ka vazhduar më tej formimin akademik në Konservatorin “G.Verdi” të Milanos, ku sërish është dalluar për arritje dhe profesionalizëm të nivelit të lartë. Aktualisht ajo ndjek vitin e tretë të kursit të perfeksionimit pianistik në Akademinë Nacionale të Santa Cecilia-s në Romë, si dhe kursin e didaktikës të muzikës në Konservatorin “G.Verdi”. Ajo gjithashtu, është fituese e shumë çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Pianistja e talentuar është ftuar për të dhënë koncert në Tiranë nga maestro Griminelli, me të cilin kanë dhënë sëbashku në të kaluarën edhe disa recitale. Ajo është aktive edhe në mjaft grupe të muzikës së dhomës, duke intepretuar kështu në salone të rëndësishme të Italisë.
P.GROSI
7 Maj 2008