E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, rikonstruktohet spitali për të sëmurët mendorë



Spitali psikiatrik “Sadik Dinci” në qytetin e Elbasanit është rikonstruktuar plotësisht, duke krijuar kushte të përshtatshme për pacientët. Aktualisht është kryer një rikonstruksion total i të gjithë ambienteve si nga jashtë, ashtu edhe brenda, duke përfshirë edhe instalimin e sistemit të ngrohjes. Ky investim ka kapur një vlerë prej 60 milion lekë të dhëna nga qeveria shqiptare. Në përurimin e rikonstruksionit të këtij spitali me një kapacitet prej rreth 300 të sëmurësh, morën pjesë zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë etj. Ivanaj u shpreh se spitali psikiatrik “Sadik Dinci” tashmë është një ndër më të mirët e vendit, pasi plotëson të gjitha standardet që kërkon OBSH-ja. Vitin e ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë do të ndërtojë disa qendra të tjera rehabilitimi për këta të sëmurë në shumë qytete të Shqipërisë, me qëllim integrimin e tyre në komunitet. Ndërsa përfaqësuesi i OBSH-së, Anshu Banarjee, tha se duhet të forcohen lidhjet mes shërbimeve të shëndetit mendor dhe shëndetit parësor.

Pollo diskuton për zbatimin e programit për zhvillimin shkencor

Jonida Tashi

Shqipëria, që prej dhjetorit 2007, është vend me statusin “I asociuar” në programin më të madh të Komisionit Europian për kërkimin shkencor FP7. Me qëllim informimin e kërkuesve apo shkencëtarëve të rinj shqiptarë rreth këtij programi dhe mënyrat e aplikimit, u organizua dje, nga Ministria e Arsimit një konferencë, Ditë Informimi për Programin Kuadër 7 (FP7), Programin COST dhe aktivitetet e JRC (Joint Research Centers) të KE-së. Komisionari europian për Kërkimin Shkencor, Janezh Potocnik, gjatë konferencës tha se forcimi i kapaciteteve dhe rritja e prezencës së Shqipërisë në konkurrencën e kërkimit shkencor, janë dy parimet bazë të programit më të madh të Komisionit Europian për kërkimin shkencor FP7. Sipas tij, ky anëtarësim ndikon në një kuadër më të gjerë në strategjinë që ka vendi ynë për integrimin e tij në BE. “Kjo iniciativë do të forcojë kërkimin në disa nga fushat kryesore për vendin, siç janë mjedisi, shëndetësia, arsimi”, - u shpreh komisionari europian për Kërkimin Shkencor. Janezh Potocnik diskutoi me ministrin Pollo se si mund të përmirësohen dhe të rriten investimet në fushat e kërkimit për të arritur këto objektiva, duke vendosur përparësi në përpjekjet në fushën e kërkimit, inkurajuar bashkëpunimin rajonal, shtuar investimet si dhe duke zgjeruar në burimet njerëzore, me synim që kërkimi shkencor të jetë tërheqës për studiuesit e rinj. Kreu i Arsimit deklaroi se në Shqipëri, pasi u shpall vendi me statusin “i asociuar” në programin më të madh të Komisionit Europian për kërkimin shkencor “FP7”, që prej dhjetorit 2007, numri i kërkuesve apo shkencëtarëve të rinj vendas që kanë aplikuar deri tani për të qënë pjesëmarrës në këtë program është 71. Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve informative të Bashkimit Europian-Promovimi i zhvillimit të një zone europiane për kërkimet shkencore, ministri Pollo, konfirmoi se aplikimi për këtë program të madh nuk është mbyllur. “Ne synojnë që të japin informacionin e duhur në mënyrë që të kemi një numër më të madh aplikimesh, mundësisht cilësore, që në fund të rezultojnë të suksesshme”-, sqaroi Genc Pollo. Programi “FP7” është instrumenti kryesor i Komisionit Europian për financimin e kërkimit shkencor dhe teknologjisë. Fondi në dispozicion të këtij programi për periudhën 2007-2013 është 52 miliardë euro. Ai është i pari program komunitar në të cilin Shqipëria aderon. Në shtator të vitit 2007, Këshilli i Ministrave miratoi statusin e vendit të asociuar në programin komunitar “Programi i Shtatë Kuadër, për Kërkim e Zhvillim Teknologjik”, FP7 për periudhën 2008-2013. (7th Framework Program on Research and Technological Development). Anëtarësimi i vendit tonë në programin FP7 realizohet duke financuar nga buxheti afro 200 mijë euro që janë 1/4 e kontributit të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga fondet e Bashkimit Europian CARDS/IPA.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›