E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët e punës, padi për Bashkinë e Tiranës dhe Shoqatën e Transporteve

Shkak, sjellja brutale e fatorinove. Kërcënojnë me grevë urie. Lëvizja “Mjaft” mbështet denoncimin e invalidëve të punës

Emanuela Sako

Shoqata e Invalidëve të Punës ka vendosur të padisë në Gjykatën e Rrethit Tiranë, Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Bashkinë e Tiranës. Arsyeja që ka çuar në këtë vendim është mosnjohja e librezave të transportit urban, të cilat u japin të drejtën e udhëtimit falas, si dhe sjellja brutale e fatorinove të linjave urbane. Sipas tyre, fatorinot i kanë zbritur nga autobusët invalidët e punës pa marrë parasysh dëshmitë e tyre.
Ndërkohë, lëvizja “Mjaft” mbështet dhe përcjell ankesën e kësaj kategorie të banorëve të kryeqytetit, por edhe të atyre qytetarëve të tjerë që kanë protestuar kundër mungesës së aboneve në treg. Invalidët e Punës kërcënojnë me grevë urie nëse kërkesat e tyre nuk do të pranohen brenda datës 12 maj.
Ankesat
Sipas Shoqatës së Invalidëve të Punës, kjo sjellje është ripërsëritur edhe gjatë ditës së hënë, kur kanë dalë në treg abonetë për muajin maj. Ndërkohë që Bashkia Tiranës ka dhënë një deklaratë ku urdhërohej zbatimi i ligjit nga operatorët e transportit. Sipas pretendimeve të invalidëve të punës, të bëra publike edhe nga lëvizja “Mjaft”, Bashkia duhet të kishte marrë masa ndaj firmave me kohë, duke qenë se ato kanë shkelur Ligjin 7889 dt. 14.12.94, neni 11.1, ku thuhet: “Udhëtimi i invalidëve të punës në mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat qytetas bëhet falas”. Një klauzolë të ngjashme përmban edhe vetë formati standard i licencës me të cilën pajisen këta operatorë. Qytetarët prej muajsh po përjetojnë një kaos në lidhje me transportin urban, ku autoritet e kanë pasur të vështirë për të arritur në një marrëveshje me kërkesat e SHKTQ-së, të cilat nuk kanë lejuar hedhjen në treg të aboneve në ditë e para të muajit. Ky veprim është bërë i përhershëm, ndërsa tani pritet që negociatat e vendosura dy ditë më parë mes qeverisë, bashkisë dhe SHKTQ-së, për rritjen e çmimit të biletës, të fillojnë zbatimin muajin e ardhshëm.
Deklarata
Në deklaratë thuhet se disponohen disa pamje filmike ku tregohet se si invalidët e punës zbriten nga urbanët brutalisht. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdullah Omuri, u shpreh se do t’i bëjë publike pamjet gjatë një deklarate në ambientet e lëvizjes “Mjaft”. “Ne disponojmë në cilësinë e provës materiale, përveç dëshmive të vetë personave, disa pamje filmike ku tregohet se si invalidët e punës zbriten nga urbanët brutalisht. Këto pamje do t’i kemi të disponueshme për publikun që nesër”,- deklaroi kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës. Sipas tij, nëse deri me datën 12 maj 2008 gjendja nuk ndryshon, invalidët e punës do të hidhen në grevë të përgjithshme urie në shkallë kombëtare.

Bashkia përfundon rikonstruksionin e rrugës “Qemal Stafa”

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e rrugës “Qemal Stafa” në kryeqytet. Punimet e kësaj rruge kanë përfunduar pas një investimi prej rreth 50 milionë lekësh të rinj, financuar nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Ky aks i rëndësishëm shtrihet në lindje të pjesës qendrore të kryeqytetit dhe kufizohet nga Rruga e Barrikadave dhe rruga “Ali Pashë Gucia”. Gjatësia e rrugës që u trajtua në këtë objekt është 550 metra linearë.
Rruga ruan aksin ekzistues, duke u zgjeruar me 0.5 metra në të dy krahët e saj, ndërsa trotuaret në të dyja anët e rrugës janë shtruar me pllaka betoni. Kryebashkiaku Edi Rama u shpreh se kjo pranverë ka filluar me shumë punë në rrugët e Tiranës, ndërkohë që cilësia e pastrimit po rritet përditë dhe në atë nivel është premtuar, që brenda pak vitesh Tirana të jetë qyteti më i pastër i Shqipërisë.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›