QSUT-ja vendos rregulla për mjekët, i “shenjtë” cenimi i pacientëve
Emanuela Sako
Drejtoria e QSUT-së ka hartuar një relacion me 16 pika, ku u referohet të drejtave dhe detyrave të pacientëve gjatë qëndrimit në spital. Sipas këtyre rregullave, pacienti duhet të kërkojë një trajtim mjaft të mirë shëndetësor, ku mjeku duhet t’i përgjigjet çdo kërkese të tij, që ka të bëjë me kujdesin shëndetësor apo trajtimit me anë të kurës dhe përcaktimit të diagnozës. Drejtoria e QSUT-së ka bërë publike listën me pikat në të cilat përcaktohen të drejtat e pacientëve, të afishuar në çdo ambient të pavijoneve në këtë qendër spitalore. Kjo është hera e parë që drejtoria përcakton rregulla të kësaj natyre. Por, nëse do të zbatohen ose jo këto rregulla, që pacientin e vendosin në qendër të vëmendjes, kjo ngelet për t’u parë. Ndërkohë që pakënaqësia e pacientëve për shërbimin shëndetësor mbetet i njëjtë, me ankesa të shumta, të cilat nuk gjejnë dot vend ku t’i zgjidhin.
Karta
Karta e pacientit përmban 16 pika, të cilat pacientët duhet t’i kenë pikë referimi për sjelljen e tyre dhe për ankesat që kanë. Kjo listë shërben edhe si një orientim në sjelljen e pacientëve ndaj disa rasteve apo situatave me të cilat përballen në sistemin shëndetësor. Pacientët duhet të përfitojnë shërbim shëndetësor në bazë të nevojave klinike pa marrë parasysh aftësinë për ta paguar në qoftë se plotëson sistemin e referimit. Ndërsa në rastet e emergjencës pacientët duhet të përfitojnë kujdes mjekësor emergjent në çdo kohë nëpërmjet mjekut të tij të përgjithshëm, mjekut të familjes ose të shërbimit të ambulancave të emergjencës. Pacienti duhet të bashkëpunojë me mjekun duke iu referuar një konsulenti të pranueshëm nga ana e tij, kur mjeku i tij i përgjithshëm e mendon të nevojshme, dhe t’i referohet për një mendim të dytë nëse ai dhe mjeku i tij i përgjithshëm bien dakord me këtë. Mjeku ka të drejt t’i japë një shpjegim të qartë për çdo trajtim të propozuar, duke përfshirë çdo rrezik ose çdo alternativë përpara se pacienti të vendosë nëse do të bjerë dakord për trajtimin.
Ankimimi
Shpeshherë ka ndodhur që pacientët janë përballur me probleme të mëdha në pavijonet e spitaleve, por nuk kanë ditur se si të ankohen. Ndërsa në këtë kartë ku listohen të drejtat dhe detyrat e pacientit, tashmë qytetarët do të marrin vesh se si të ankimojnë ankesën e tyre. Në rastet e pakënaqësive pacientët duhet të drejtohen pranë Zyrës së Ankesave, të ngritur pranë Drejtorisë së QSUT-së. Pacientit duhet t’i shqyrtohet çdo ankesë për shërbimet e QSUT-së nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun pranë QSUT-së dhe të marrë përgjigje me shkrim për ankesën e bënë. Nëse i sëmuri nuk është i kënaqur me mënyrën e zgjidhjes së ankesës, mund t’i drejtohet Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Shëndetësisë ose Drejtorisë së Spitaleve pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Njëkohësisht, pacientët kanë të drejtë të informohen plotësisht për gjendjen e tyre shëndetësore, përfshi “faktet” mjekësore për gjendjen e tyre, për procedurat mjekësore të propozuara së bashku me rreziqet e mëdha për përfitimet nga çdo procedurë, duke përfshirë pasojat e mostrajtimit dhe diagnozën, prognozën dhe progresin e kurimit ( trajtimit).
Karta e pacientit
1. Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën e shërbimit shëndetësor kombëtar.
a. Të përfitojnë shërbim shëndetësor në bazë të nevojave klinike pa marrë parasysh aftësinë për ta paguar në qoftë se plotëson sistemin e referimit.
b. Të përfitojë kujdes mjekësor emergjent në çdo kohë nëpërmjet mjekut të tij të përgjithshëm, mjekut të familjes ose të shërbimit të ambulancave të emergjencës, ose duke kaluar defektet në këto shërbime të emergjencës.
c. T’i referohet një konsulenti të pranueshëm nga ana e tij, kur mjeku i tij i përgjithshëm e mendon të nevojshme dhe t’i referohet për një mendim të dytë nëse ai dhe mjeku i tij i përgjithshëm bien dakord me këtë.
d. T’i jepet një shpjegim i qartë për çdo trajtim të propozuar, duke përfshirë çdo rrezik ose çdo alternativë përpara se ai të vendosë nëse do të bjerë dakord për trajtimin.
2. Pacienti i shtruar në spital duhet të zbatojë rregulloren e spitalit, orarin e veprimeve të ushqyerjes dhe të marrjes së medikamenteve.
3. Pacienti kur shtrohet, krahas medikamenteve mund të ketë nevojë edhe për transfuzion. Për rastet urgjente gjaku merret pa pagesë. Për këtë është krijuar Banka e Gjakut pranë Spitalit 2. Gjaku sigurohet te Banka e Gjakut të QSUT-së ose familjari i pacientit mund të kontribuojë në sigurimin e gjakut të freskët si donator.
4. Pacienti i shtruar në QSUT informohet me hollësi për sëmundjen e tij nga ana e mjekut kurues. Gjithashtu për këtë (diagnozë, ecurinë dhe trajtimin e sëmundjes) informohen edhe të afërmit e të sëmurit.
5. Pacientit i sigurohet çdo ditë vizitë mjekësore me mjekun e dhomës dhe vizitë dy herë në javë me shefin përkatës.
6. Pacienti ka të drejtë të informohet për ekzaminimet që i kryhen, të cilat i shpjegohen nga mjeku kurues, të dijë për medikamentet që merr duke ditur indikacionet dhe kundërindikacionet e tyre. Gjithashtu, pacienti duhet të informohet edhe për rezultatet e analizave të kryera.
7. Pacienti ka të drejtë të kërkojë higjienë në dhomën e tij dhe të kompletohet me materialet e buta, të cilat duhet t’i marrë në dorëzim dhe t’i mirëmbajë ato.
8. Pacienti ka të drejtë të kërkojë rregull dhe qetësi në dhomë dhe pavijon, duke komunikuar me infermieren apo shefin e përkatës.
9. Pacienti ka të drejtë që për çdo shqetësim apo vërejtje që ka ndaj shërbimit kundrejt tij, të paraqitet në Zyrën e Ankesave, të ngritur pranë Drejtorisë së QSUT-së.
10. Pacientit duhet t’i shqyrtohet çdo ankesë për shërbimet e QSUT-së nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun pranë QSUT-së dhe të marrë përgjigje me shkrim për ankesën e bënë. Nëse i sëmuri nuk është i kënaqur me mënyrën e zgjidhjes së ankesës, mund t’i drejtohet Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Shëndetësisë ose Drejtorisë s Spitaleve pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
11. Pacientët kanë të drejtë të informohen plotësisht për gjendjen e tyre shëndetësore, përfshi “faktet” mjekësore për gjendjen e tyre, për procedurat mjekësore të propozuara së bashku me rreziqet e mëdha për përfitimet nga çdo procedurë, duke përfshirë pasojat e mostrajtimit dhe diagnozën, prognozën dhe progresin e kurimit (trajtimit).
12. Informimi mund t’i mbahet i fshehur pacientit vetëm nëse qëndrojnë arsye të forta për të besuar që ky informim, pa sjellë efekt pozitiv të qartë, do të shkaktonte nga ana tjetër një dëm serioz të rëndë për pacientin. Ky informim mund t’i jepet njeriut më të besuar të tij.
13. Kur pacientët pranohen në një institucion shëndetësor, ata duhet të informohen për identitetin dhe statusin profesional të personelit të shërbimit si dhe me çdo rregull, me të cilin do të kenë të bëjnë gjatë qëndrimit dhe kurimit të tyre.
14. Pacientët duhet të kërkojnë t’u jepet një përmbledhje e shkruar e diagnozave të tyre, trajtimit dhe kujdesit kur ata dalin nga institucioni shëndetësor.
15. Pacienti ka të drejtë të pranojë ose të ndërpresë çdo ndërhyrje shëndetësore. Pasojat e mospranimit ose të ndërprerjes së ndërhyrjes duhet t’i shpjegohen me kujdes pacientit.
16. Çdo e dhënë e pacientit duhet të mbrohet.
7 Maj 2008