E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java XI Dinamo në fushë për të thelluar avantazhin me ndjekëset

Autori i Lajmit: Redaksia
Sot do të startojë java e 11-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për të dyja kategoritë, atë Superiore dhe Kategorinë e Parë. Pasi e bëri pushim fundjavën e shkuar, si rezultat i angazhimit të Kombëtares kuqezi në miqësoren me Estoninë, kampionati rikthen futbollin e luajtur kombëtar në disa stadiume të vendit. Për sa i takon Kategorisë Superiore, bie në sy sfida e “Qemal Stafës“, ku Dinamo kryesuese do të presë Apoloninë e vendit të tretë. Blutë, me një ecuri mjaft pozitive deri tani, do të kërkojnë të ruajnë ritmin, por edhe diferencën prej 5 pikësh me Besën që e ndjek, duke e mbyllur fazën e parë pa asnjë humbje, ndërkohë që fierakët do të kërkojnë të bëjnë autokritikë për zhgënjimet e fundit. Tashmë në krye të Apolonisë, pas dorëheqjes së Esat Karishikut, është ulur Hasan Lika, tekniku i njohur kryeqytetas, që këtë vit provoi largimin nga Vllaznia. Në transfertë do të luajë këtë javë Tirana, edhe ajo me pikë të barabarta me fierakët e vendit të tretë. Bardheblutë, kampionët në fuqi, do të jenë mysfairë të dielën, në orën 13.00, në fushën e Laçit, në një transfertë të vështirë dhe delikate për vazhdimësinë, pasi vendasit nuk falin kollaj në shtëpi. Morali në të dyja kampet respektive duket i lartë, pasi Laçi vjen pas një barazimi në Vlorë, ndërsa Tirana pas tri fitoresh radhazi. Kjo e bën mjaft interesante këtë ndeshje. Besa e vendit të dytë do të luajë derbin me Teutën e Durrësit, në fushën e kësaj të fundit. Kavajasit, që pësuan dy humbje radhazi, në javën e 9-të dhe të 10-të, konkretisht në Krujë me Kastriotin dhe në shtëpi me Dinamon, kanë vetëm një rrugë, për të mbetur sërish pretendentë: të marrin 3 pikët në “Niko Dovana”. Por, që ta arrijnë këtë, duhet kaluar një pengesë e madhe, siç janë “djemtë e detit”. Këta të fundit, veçanërisht në fushën e tyre, kanë qenë të pathyeshëm në këtë kampionat, ndaj verdhezinjtë duhet t’i bëjnë mirë llogaritë. Në Peqin, Shkumbini vendas pret Skënderbeun, në një sfidë që sheh të favorizuar vendasit, por edhe miqtë korçarë nuk shkojnë pa pretendime në këtë transfertë. Për të dyja skuadrat, çdo pikë e marrë do të thotë më shumë shanse për të siguruar mbijetesën në superligë, si objektivi më parësor për to. Me synime të tilla modeste është i detyruar të marrë rrugën për në Krujë edhe Flamurtari i emrit të madh. Por, në kampionatin që vazhdon, skuadra vlonjate i ka zhgënjyer të gjithë. Ajo renditet e fundit, ndërkohë që Kastrioti, kundërshtari i radhës, është disa shkallë më lart. Madje, nisur nga fakti se krutanët luajnë në shtëpi, por vijnë edhe pas një fitoreje të bujshme në Fier, javën paraardhëse, shanset për vlonjatët duken minimale. Sidoqoftë, në futboll të gënjejnë parashikimet, ndaj edhe kjo sfidë mbetet mjaft interesante. Në Shkodër, Vllaznia e problemeve të mëdha në këtë sezon, do të presë Gramozin debutues në superligë. Kolonjarët, pasi kanë ngrohur veten me një 3-pikësh ndaj Teutës, duket se shkojnë plot oreks edhe në “Loro Boriçi”. Por, kuqeblutë nuk kanë asnjë komoditet për të toleruar e zhgënjyer pafundësisht, pasi gjenden në vendin e parafundit në renditje, si kurrë më parë. Kujtojmë se kjo është java e fundit e fazës së parë të kampionatit të 71-të kombëtar, superliga. Ndërkohë, po sot, do të luhet edhe java e 11-të e Kategorisë së Parë, ku bie në sy kryendeshja Partizani-Lushnja, dy skuadra këto që zbritën nga superliga edicionin e shkuar. Ndeshja në fjalë do të luhet në “Selman Stermasi” dhe pritet të jetë me shumë interes për të dyja tifozëritë respektive. Partizani synon në përballjen e vështirë kundër Lushnjës ta ruajë të pastër kolonën e humbjeve në shtëpi, edhe pse te skuadra e kuqe zyrtarisht në pankinë do të jetë një emër i panjohur si trajner. Trajneri Skerdi Bejzade nuk mund ta drejtojë skuadrën nga vija anësore, ndërkohë që dhe ndihmësi i tij, Luan Pinari, nuk mund të jetë në fushë, pasi që të dy janë të pezulluar nga Sektori i Garave. Trajneri Bejzade në një prononcim për mediat pohoi se “nëse ekipi tij fiton ndaj lushnjarëve, atëherë kjo fitore do të jetë e çmuar për ne”. Partizani humbi në ndeshjen e fundit me Elbasanin, ndërsa ka humbur edhe me rivalin tjetër të ardhur nga Kategoria Superiore, Bylisin, që kryeson Kategorinë e Parë. Partizani është i pathyer në pesë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ndërkohë që Lushnja mund të konsiderohet një formacion i suksesshëm në transfertë. Lushnja e vendit të tretë në pamje të parë shihet si favorite ndaj Partizanit të vendit të 8-të, kur diferenca midis tyre është jo pak, por 5 pikë në 10 javë.

Kategoria Superiore
Java 11-të

Sot

KASTRIOTI-FLAMURTARI
Gjyqtar: L.Jemini

DINAMO-APOLONIA
Gjyqtar: E.Hoxha

VLLAZNIA-GRAMOZI
Gjyqtar: E.Dobi

SHKUMBINI-SKENDERBEU
Gjyqtar: A.Taullau

Nesër

TEUTA-BESA
LAÇI-TIRANA
Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›