E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java XII Tirana mban ritmin, mund 2-0 Flamurtarin

Autori i Lajmit: Redaksia
Vlorë - Java e 12-të e superligës ka luajtur ndeshjen e saj të fundit. E nisur në orën 13.00, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ndeshja mes ekipit vendas dhe Tiranës kampione në fuqi ka dhuruar mjaft emocione, sepse të dyja palët i kanë shpalosur qartë synimet respektive në këto 90 minuta. Flamurtari, duke qenë edhe pritës, ka tentuar të marrë 3 pikët, si e vetmja mundësi për tiu larguar fundit të ftohtë të renditjes, ndërsa bardheblutë, për të ruajtur ritmin e tri rivaleve të tjera, të Dinamos kryesuese, Besës dhe Apolonisë, që kishin fituar më parë në transfertë. Dhe në fakt fitorja u ka buzëqeshur kryeqytetasve, të cilët janë treguar më konkretë e pragmatistë, por edhe më të qartë në mënyrën e funksionimit si skuadër. Dy gola të shënuar nga Sefa dhe Ahmataj, respektivisht në minutën e 54-t dhe të 89-të, u kanë dhënë bardhebluve fitoren e merituar dhe të pastër, e cila është vënë seriozisht në rrezik në minutën e 85-të, kur portieri Koronovski, që kishte zëvendësuar Nallbanin në këtë sfidë, nuk e ka zotëruar si duhet një top, duke i dhënë mundësinë Memës së Flamurtarit të realizojë. Por korçari ka bërë atë që nuk duhej, i vetëm me portën, ka vonuar, duke i dhënë mundësinë mbrojtësit Bici ta largojë rrezikun në vijën fatale të portës së tij. Në përgjithësi loja ka qenë e hapur dhe me sulme e kundërsulme për të dyja skuadrat. Vlonjatët aplikojnë një sulm koral, me shumë pasime, ku Belisha mundohet të përpunojë topin dhe dhënë pasimin e fundit, ndërsa Tirana është e rrezikshme në kundërsulm. Kapiteni Muka mban mbi shpatullat e tij organizimin e lojës bardheblu, ndërkohë që me topin e gjatë, drejt Memellit dhe Muzakës, krijon pështjellim të madh te porta e Halilit. Falë një skeme të tillë loje, Sefa dhe Ahmataj konkludojnë rastet e krijuara në portën kundërshtare, duke sigluar edhe fitoren 2-0 të Tiranës, e cila tashmë ruan hapin e rivalëve, në ndjekje të Dinamos kryesuese. Kalendari i vështirë, me tri ndeshje radhazi në transfertë, deri më tani është një humbje (në Laç) dhe një fitore (në Vlorë). Ndeshja e tretë jashtë i takon javës së 13-të, ku bardheblutë do të udhëtojnë drejt Korçës, për tu ndeshur me Skënderbeun vendas. Një lloj hakmarrje kjo e Tiranës ndaj Flamurtarit, edhe për finalen e Kupës së Shqipërisë, edicionin e shkuar, por edhe për humbjen e ndeshjes hapëse të këtij kampionati, në kuadrin e javës së parë, ku vlonjatët i mundën kampionët në fuqi 3-1, brenda në “Qemal Stafa”. Nga ana tjetër, kambana alarmi për vlonjatët, në fundin e klasifikimit.

Partizani ankesë në FSHF

Të kuqtë do të kërkojnë fitoren në tavolinë, pasi sipas tyre ekziston precedenti Sopoti-Elbasani. Partizani ka marrë një pikë në trasfertën e Memaliajt, por sipas drejtuesve të skuadrës, në pjesën e dytë të kësaj sfide futbolli kaloi në plan të dytë, sepse ofendimet, hedhja e gurëve dhe hyrjet e tifozëve brenda rrethimit, duke u bërë presion gjyqtarëve anësorë, ishin të prekshme. Presioni për Partizanin ka vazhduar edhe pas ndeshjes. Kjo situatë, sipas shefit të klubit, Bujar Labinoti, dhe trajnerit Skerdi Bejzade, është pasqyruar edhe në relacionet e gjyqtarëve dhe vëzhguesit, në ankesën që ata depozituan në FSHF. Po sipas shefit të klubit, Labinoti, dhe trajnerit Bejzade, në këtë ankesë të kuqtë do të detajonë ngjarjet që ndodhën në Memaliaj, pasi pas golit që shënoi sulmuesi i Partizanit, Alban Dashi, dhuna dhe presioni i vendasve kapi kulmin. Mësohet se Partizani do të kërkojë drejtësi nga organet kompetente të Federatës, ku sipas tyre, Partizani duhet ta marrë fitoren në tavolinë. Pavarësisht se çfarë kanë shkruar gjyqtarët dhe vëzhguesi në relacionin e pasndeshjes, të kuqtë do të kërkojnë tripikëshin, pasi ka precedentë të ngjashëm, sepse pothuajse e njëjta histori ndodhi edhe në takimin Sopoti-Elbasani. “Megjithëse jemi një ditë më vonë, i mbetem deklarimit të pasndeshjes, kështu që na mbetet vetëm depozitimi i ankesave në FSHF, ku do të kërkojmë fitoren, pasi pas golit të Partizanit nuk u luajt më futboll. Është absurde të dalësh në përfundimin se në Memaliaj nuk ndodhën gjeste antisportive dhe se ishim ne ata që irrituam tifozerinë dhe policinë vendase”, - tha dy ditë më parë trajneri i të kuqve, Skerdi Bejzade.

Memaliaj

Pas ndeshjes së ditës së shtunë, stafi i ekipit të Memaliajt ka dalë me një deklaratë për shtypin sportiv, duke përgënjeshtruar deklaratën e trajnerit të Partizanit dhe të futbollistëve të këtij ekipi si të pavërtetë. Ja deklarata e klubit Memaliaj: “Loja përfundon e rregullt me rezultatin 1-1, ku gjatë 90 minutave gjykimi u kontestua nga futbollistët vendës si dhe nga tifozeria, ku kjo e fundit u tregua tepër korrekte dhe nuk hodhi asnjë send të fortë në fushën e lojës. Ishte veprimi arbitrar i drejtorit teknik të Partizanit, Naim Kënga, që irritoi jashtë mase tifozerinë, ku u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën dhe për të larguar turmën e irrituar, si dhe duke përcjellë si ekipin e Partizanit dhe gjyqtarët jashtë qytetit pa probleme. Për këtë, pretendimi i drejtorit teknik të Partizanit se është qëlluar me sende të forta, bie poshtë nga vetë deklarata e z.Naim Kënga, i cili ka deklaruar dhe firmosur në komisariatin e policisë Tepelenë, në zyrën e shefit të komisariatit. Si përfundim, trajneri Bejzade ta gjejë gabimin tek vetja dhe tek futbollistët, që presidenti Xhani akuzoi për rezultatet e dobëta të një jave më parë me Lushnjën. Mos vallë këtu fajin e kishin tifozët e Lushnjës?”
Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›