E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë BE miraton Shengenin, Shqipëria të presë edhe 6 muaj

Autori i Lajmit: Redaksia
Këshilli i Ministrave për punë të brendshme dhe drejtësi të vendeve anëtare të BE-së miratoi dje në Bruksel vendimin përfundimtar për heqjen e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Francës për Emigracion, Erik Beson. “Zyrtarisht, njoftoj se BE solli vendimin për heqjen e vizave për tre vendet, që është një etapë tepër e rëndësishme në procesin e afrimit”, - theksoi Beson. Vendimi që Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi të transferohen në vendet e “Shengenit të bardhë” është miratuar me shumicë votash, 2/3 e votave të vendeve anëtare. Heqja e vizave do t`u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi që të udhëtojnë në 25 nga 27 vende anëtare të BE-së, duke përjashtuar Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Por nga ana tjetër, pa viza do të udhëtohet edhe në Norvegji, Zvicër dhe Islandë. Vendimi i ministrave hyn në fuqi më 19 dhjetor. Vendimi i marrë nga ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë u prit me entuziazëm në Maqedoni. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, tha se kjo ishte një ditë historike: “Sot u realizua një nga prioritetet tona strategjike, që kishte mbështetje të madhe nga qytetarët, bashkësitë etnike, subjektet politike dhe shoqëria civile”, - tha ministrja Jankulovska.

Shqipëria dhe Bosnja

Megjithëse Shqipëria dhe Bosnja nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve përfituese për heqjen e regjimit të vizave, ministrat e Brendshëm të të dy vendeve janë ftuar në ceremoninë zyrtare të së hënës nga presidenca suedeze. Iniciativa për stabilitetin evropian vlerëson se heqja e regjimit të vizave për Shqipërinë mund të arrihet dhe përpara korrikut 2010, nëse progresi i përshkruar në letër nga autoritetet shqiptare do të rezultojë dhe në terren nga ekspertët evropianë. Alexandra Stiglmayer, eksperte në Iniciativa e Stabilitetit Evropian shprehet: “Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë shumë progres muajt e fundit. Tani, Komisioni duhet të vlerësojë këtë progres, që ne shpresojmë se do ta bëjë sa më shpejt, e më pas Komisioni do të bëjë një propozim legjislativ. Nëse gjithçka shkon mirë, Shqipëria dhe Bosnja mund të kenë ndoshta një regjim pa viza në prill-maj të vitit të ardhshëm edhe pse data më reale e synuar duket korriku”. Për Kosovën vlerësohet emergjente dhënia e një udhërrëfyesi të ngjashëm për të nisur procesin e lehtësimit e më pas liberalizimit të vizave.

Kushtet për të udhëtuar pa viza

Që një person të udhëtojë në shtetet e zonës Shengen pa vizë, fillimisht do të duhet të ketë një pasaportë biometrike. Nëse nuk ka, atëherë do të ndjekë procedurat për nxjerrjen e vizave në ambasada. Përveç pasaportës, ai duhet të dëshmojë se është në gjendje që të mbështesë financiarisht udhëtimin e tij, kjo qoftë me para në dorë apo kartat e kreditit. Siç u njoftua, autoritetet kufitare nuk kanë të përcaktuar asnjë shumë parash si normë, por kjo do të varet nga kohëzgjatja e udhëtimit. Udhëtari do të duhet gjithashtu të tregojë destinacionin e tij dhe, nëse udhëton për turizëm, mund ti kërkohen detaje si rezervimi i hotelit. Nëse udhëtimet bëhen tek familjarë apo miq, atëherë do të duhet të dinë adresën apo dhe kontaktet e mikpritësit. Dhe për çdo udhëtim do të duhet që me vete të ketë dhe siguracion udhëtimesh.

Refuzimi

Kjo mund të ndodhë nëse një person konsiderohet se mund të sjellë rrezik për sigurinë e vendeve që janë përfshirë në zonën Shengen, si dhe nëse është lëshuar më herët ndonjë alarm i çfarëdo natyre për refuzim hyrjeje në zonën e Shengenit. Sipas rregullave të asaj që quhet regjim i udhëtimit pa viza, autoritetet kufitare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen në zonën Shengen, nëse nuk përmbushen kriteret e parashikuara. Duhet theksuar se një person nuk lejohet që të qëndrojë më shumë se 90 ditë brenda gjashtë muajsh në zonën Shengen. Nëse edhe ky rregull shkelet, atëherë mund të merren masa ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në shkeljen e ligjeve duke përfshirë edhe shtetas të vendeve evropiane. Zyrtarët evropianë theksojnë se me këtë regjim vizash nuk parashikohen qëndrime afatgjatë, shpërngulje apo punësime. Nga 19 dhjetori, regjimi i ri i vizave do të përfshijë të gjitha vendet e BE-së për veç Britanisë dhe Irlandës, por dhe Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën që nuk janë pjesë e BE-së, por bëjnë pjesë në zonën Shengen.

Miloshovski sot në Athinë, “OK” Maqedonia e Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, do të udhëtojë në Athinë ditën e sotme ku pritet të takohet me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dhimitris Dhrucas, i cili është i ngarkuar për zgjidhjen e çështjes së emrit. Edhe nga ky takim nuk pritet ndonjë sukses në bisedime, pasi dy ministrat vetëm do tu qëndrojnë pas vendimeve të shefave të tyre. Ndërkohë, në qarqet diplomatike është përhapur me të madhe se Gruevski, parimisht, ka pranuar emrin “Maqedonia e Veriut” dhe për këtë gjë janë marrë vesh me grekët, por vazhdon të kërkojë që identiteti të mbetet vetëm maqedonas dhe jo maqedonas i veriut. Gjithashtu sipas burimeve diplomatike, Gruevski kërkon modalitete që ky emër të përdoret vetëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Dhrucas për Allgemeine Zeitung: “Ja Rëndësia e takimit të Prespës”

Qendrimet greke për çështjet e politikës së jashtme janë bërë publike në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nga ministri Plotësues i Jashtëm grek, Dhimitris Dhrucas. Për sa i përket takimit në Prespë të kryeministrit Jorgos Papandreu me homologët e tij të Shqipërisë, Sali Berisha dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, Dhrucas tha se është një hap i rëndësishëm fakti se përsëri realizohen kontakte të tilla, pas shumë vitesh gjatë të cilave mënjanoheshin takimet zyrtare. Midis të tjerash, ai përsëriti se çështja e shelfit kontinental në Egje është një çështje juridike, që duhet të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Lidhur me progresin e Turqisë për anëtarësimin në BE, Dhrucas përsëriti qëndrimin grek: Përkrahim anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE, por si vend kandidat për anëtarësim, Turqia ka detyrime përkundrejt BE-se dhe shteteve anëtare të saj. Në këto detyrime bën pjesë edhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj. Kjo nënkupton edhe aplikimin e Protokollit të Ankarasë, pra zgjerimin e Lidhjes doganore me të gjitha shtetet anëtare të BE-se, edhe me Republikën e Qipros. Turqia është e detyruar të lejojë anijet dhe avionët qipriotë në portet dhe aeroportet e saj. Në lidhje me çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ministri Plotësues i Jashtëm grek thekson: Vendimi për fillimin e negociatave për stabilizim-asoocimin e këtij vendi në BE është një çështje e të gjithë shteteve anëtare të familjes evropiane, pra edhe e Greqisë dhe një gjë është e sigurtë: Kusht për fillimin e negociatave me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është zgjidhja e çështjes së emrit. Ministri Plotësues i Jashtëm, në këtë intervistë të tij për politikën e jashtme greke në përgjithesi thotë: Duam të ndjekim një politikë të jashtme dinamike dhe do ta bëjmë. Një politikë të jashtme, e cila do të karakterizohet nga iniciativat që do të marrim. Ne nuk kemi si qëllim vetëm reagimin.
Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›