E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e artit në Bullgari

07/09/2009  Një javë për artin bashkëkohor. Kjo bashkon bashkë artistë nga rajoni, të cilët “rrëfehen” në Bullgari. Ndërkohë që 17 artistë (mes tyre pesë artistë kosovarë) do të marrin pjesë në ekspozitën “After ego”, që do të mbahet në Plovdiv të Bullgarisë në kuadër të kësaj jave të artit. Alban Muja, Lulëzim Zeqiri, Fitore Isufi (Koja), Driton Hajredini dhe Jakup Ferri janë artistët kosovarë të “After ego”, me kuratore Svetlana Kuyumdzhieva. Ekspozita organizohet nga “Art Today Association” dhe Qendra për Art Bashkëkohor “The Ancient Bath” në Plovdiv të Bullgarisë. Përveç tyre në këtë ekspozitë marrin pjesë edhe artistë nga Bullgaria dhe Serbia. Artistët kosovarë janë përzgjedhur nga Alban Muja, ndërsa ata serbë nga Ana Vilenica. Java e artit bashkëkohor në Plovdiv këtë vit feston përvjetorin e saj. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit ka forcuar pozicionin e saj si një prej evenimenteve më të rëndësishme artistike në këtë vend, duke u bërë traditë vjetore për të pasur koncepte të ndryshme kuratoriale dhe autorë nga e tërë bota. Projekti “After ego” materializon idenë e përfundimit të periudhës egocentrike në art. “Ne nuk mund t’i shkatërrojmë kufijtë, t’i rrezojmë identitetet, t’i transformojmë vlerat e vjetruara dhe ta lëmë të paprekur egon. Është forca që me shekuj ka luftuar për pavarësi dhe sovranitet dhe asnjëherë nuk është e kënaqur me arritjet”, - thuhet në përshkrimin e shkurtër të konceptit të ekspozitës. Ekspozita është çelur më 4 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 2 tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›