Në fabrikën e dështimeve
Shkrimtari Ismail Kadare, boksieri Bashkim Berisha dhe pensionistët mashtrues: Brenda pak ditësh, një varg ngjarjesh të (pa)parashikueshme i kanë shndërruar shqiptarët në temë mediale në Zvicër.
"Ammann", shtëpia botuese që kishte marrë përsipër botimin e Kadaresë për botën gjermanofolëse, do të mbyllet
Në Francë, Ismail Kadare ka pasur shumë fat me shtëpinë e madhe botuese "Fayard", e cila rregullisht ka botuar romanet dhe esetë e tij në gjuhën frënge.
Madje, në vitet '90-të "Fayard" botoi edhe kompletin e veprave të Kadaresë në gjuhën frënge dhe shqipe. Në hapësirën gjermanofolëse, ndërkaq, kandidati shumëvjeçar për çmimin Nobel, nuk ka pasur dorë të mbarë me botuesit e tij.
Dikur veprat e Kadaresë botoheshin në Gjermaninë komuniste, pastaj në "Neuer Malik Verlag" në Kiel (Gjermania veriore) dhe në "Residenz Verlag" (Salzburg, Austri).
Këto shtëpi botuese nuk janë aq të njohura. Publiku gjermanofolës i ka zbuluar disa prej romaneve të Kadaresë vetëm pas botimit si libra xhepi (Taschenbücher) nga botuesi "dtv", Mynih.
Në vitin 2001 dukej se Kadare gjeti, më në fund, një strehë të sigurt botuese. Atë vit, shtëpia e njohur botuese "Ammann Verlag" e Zyrihut, njoftoi se tani e tutje do të botonte opusin e autorit shqiptar.
Seria filloi me botimin e "Prillit të thyer" (në përkthim elegant të Joachim Röhm-it) dhe vazhdoi me tituj të tjerë: "Ura me tri harqe" (2002), "Pallati i ëndrrave" (2003), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (2004), "Viti i mbrapshtë"
(2005), "Pasardhësi" (2006), "Spiritus" (2007) dhe "Vjedhja e gjumit mbretëror" (2008). Nën kujdesin e veçantë të botuesit Egon Ammann, këto libra u shtypën me një përgatitje bashkëkohore grafike dhe të gjitha ballinat u ilustruan me fotografi të Marubit. Kjo traditë e shkurtër së shpejti do të marrë fund. Egon Ammann do të mbyllë portat e shtëpisë së tij botuese më 30 qershor 2010.
Dy janë arsyet që i ka përmendur Ammann për këtë hap: mosha e tij dhe gjendja në treg. Me fjalë të tjera: lexuesit, gjithnjë e më shumë, preferojnë libra "të lehtë", jo literaturë që kërkon djersitje mendore.
Sekretari i toreros
Egon Ammann u takon atyre zviceranëve, të cilët në dallim nga shumë bashkëkombës të tyre kanë kapërcyer ngaherë gardhin izolacionist. Gjatë karrierës së tij, Ammann ka qenë librashitës në Stamboll, pastaj ka shtegtuar nëpër vendet e Orientit, ku ka shitur vepra të shkrimtarit klasik gjerman Johann Wolfgang von Goethe, mandej ka qenë sekretar i një toreroje spanjoll.
(Ammann, këtë mund ta konfirmojnë të gjithë vizitorët e tij, është edhe nikoqir dhe kuzhinier i mirë: Njëherë, duke shkuar për darkë në shtëpinë e tij bashkë me Ismail Kadarenë, shkrimtarin Beqë Cufaj dhe përkthyesin Joachim Röhm, humbëm rrugën në terrin e Zyrihut.
Pasi u sollëm kot poshtë e lart, Kadare dikur tha: "Atje lart duhet të jetë, sepse po shoh një spaghetti duke fluturuar". Dhe atje lart gjetëm botuesin duke përgatitur darkën, natyrisht spaghetti). Lajmi që Egon Ammann do të ndërpresë veprimtarinë e tij botuese jehoi në pothuaj të gjitha mediat në Zvicër, Gjermani e Austri.
Me angazhimin e tij vetëmohues ai u ka sjellë për herë të parë lexuesve gjermanofolës autorë të famshëm, siç janë Fernando Pessoa (Portugali), Osip Mandelshtam (Rusi) dhe Antonio Makado (Spanjë). Me mbylljen e shtëpisë botuese Ammann, Ismail Kadare do të mbesë pa botues në hapësirën gjermanofolëse. Ky është një lajm i keq.
Rasti BB
Menjëherë pas njoftimit për mbylljen e shtëpisë botuese "Ammann", në mediat zvicerane bëri jehonë një ngjarje tjetër, një proces gjyqësor, në të cilin protagonist ishte një shqiptar nga Kosova. Ai quhet Bashkim Berisha.
Më 11 shkurt 2005, Berisha, kampion i botës në tai-boks, një sport luftarak jo aq i parrezikshëm, kishte vrarë në periferi të Zyrihut një shqiptar nga Maqedonia. Thuhet se dorasi dhe viktima ishin zënë për shkak të një vendparkimi. Bashkim Berisha thotë se viktima i kishte sharë nënën. Banalitete shqiptare. Tmerre shqiptare. Histori shqiptare.
Pasi ia kishte marrë jetën shqiptarit nga Maqedonia, Bashkim Berisha ishte arratisur në Kosovë, ku - përkundër fletarrestit ndërkombëtar - kishte jetuar i pashqetësuar nga policia.
Dikur ishte arrestuar krejt rastësisht, gjatë një kontrolli në trafik afër Deçanit, pasi që, siç thuhet, në veturën e tij ishte gjetur një armë. Autoritetet e UNMIK-ut e ekstraduan në Zvicër. Para pak ditësh, në Zyrih u mbajt procesi gjyqësor kundër tij.
Mediat zvicerane e përcollën këtë ngjarje me pompozitet, sepse Bashkim Berisha është njëri prej atyre djemve kosovarë që përmes sportit është bërë i njohur në Zvicër, madje një regjisor zviceran ka xhiruar një film për karrierën e tij të bujshme, duke filluar nga koha kur ka qenë delikuent, kur kishte rrahur dy policë dhe kur kishte filluar të merrej me sport, me tai-boks.
Filmi me titullin "Bashkim" portretizon një djalosh, i cili ndan fatin me shumë bashkëkombës të tij, të cilët shpeshherë kanë vështirësi të mëdha në procesin e integrimit në shoqërinë zvicerane. Në sport, Bashkim Berisha kishte gjetur një fushë, ku mund të kanalizonte dhe kontrollonte agresivitetin e tij. Por, më 11 shkurt 2005, atë prapë e rrëmbeu temperamenti i tij sanguin.
Para procesit, B.B., me ton pendues tha: "Më vjen keq për prindërit e tij (të viktimës, v.j.). Ndoshta do duhej të më jepnin një dënim me burg. Fundja unë kam ndikuar për t'i dhënë fund jetës së tij. Pa mua ai nuk do të ishte i vdekur. Prindërit kanë humbur birin e tyre, fëmijët babanë e tyre. Ndoshta tetë vite? Tetë vite mendoj se do ishin dënim i drejtë".
Një gjykatë në Zyrih e dënoi Bashkim Berishën me 14 vjet burg. Procesi gjyqësor kundër tij i përngjante një spektakli medial. Në sallën e gjyqit e sollën me duar dhe këmbë të lidhura, ndërsa në kulm të ndërtesës dhe përreth kishte policë specialë, të maskuar dhe të armatosur rëndë.
Meqë salla ishte e vogël dhe interesimi i opinionit i madh, gjykata kishte vendosur që procesin ta transmetojë me videolink në një sallë të Universitetit të Zyrihut. Diçka e tillë s'kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e gjyqësisë në Zyrih. Rasti B.B. dhe spektakli medial që e ka shoqëruar atë mund të nxisin qëndrimin kundër të huajve në Zvicër dhe kundër shqiptarëve në veçanti.
Pensionistë mashtrues
Lajmi tjetër i keq për imazhin e Kosovës është ky: javën e kaluar, autoritetet zvicerane kanë vendosur t'ua ndërpresin dërgimin e pensioneve të invalidit në Kosovë atyre personave, të cilët dyshohet se përkundër invaliditetit vazhdojnë të punojnë dhe, në këtë mënyrë, keqpërdorin sistemin e sigurimeve sociale në Zvicër.
Në Kosovë jetojnë 300 persona, të cilët marrin pension invalidi nga Zvicra. Disa prej tyre dyshohet se i kanë marrë pensionet e invalidit në Zvicër përmes mashtrimeve dhe janë kthyer në Kosovë, ku vazhdojnë të punojnë.
Njëri prej tyre, madje, para disa kohësh ishte arrestuar në Zvicër, pasi autoritetet e këtij vendi kishin zbuluar se punonte si mjek në Prishtinë. Për të zbuluar keqpërdoruesit e pensioneve, Zvicra ka angazhuar një agjenci, e cila ka kontraktuar në Kosovë një organizatë për observimin (përcjelljen) e pensionistëve. Një zyrtar i Entit Federal të Sigurimeve të Zvicrës ka deklaruar se këta "hetues" në Kosovë janë kërcënuar me vrasje dhe observimi është ndërprerë.
Epilogu, sipas këtij zyrtari, është se tani të gjithë pensionistët do t'u nënshtrohen hetimeve. Të gjithë këta duhet të dëshmojnë se pensionet i marrin me të drejtë. Nëse nuk arrijnë ta dëshmojnë këtë, atëherë u ndërpritet pensioni.
Në të ardhmen, Zvicra synon të lidhë marrëveshje për sigurimet me të gjitha shtetet pasardhëse të Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën. Këto marrëveshje do të përmbajnë edhe një klauzolë, e cila thekson se autoritetet zvicerane mund të hetojnë pensionistët dhe se gjatë procesit të hetimeve, shteti përkatës duhet të japë garanci për sigurinë e hetuesve.
"Në rast se nuk arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë, si në rastin e Kosovës, do t'i ndërpresin pensionet nëse kemi ndonjë dyshim", - ka deklaruar zyrtari. Zvicra paguan gjithsej 300 mijë pensione invaliditeti, prej tyre 50 mijë paguhen në botën e jashtme. Në vendet e ish-Jugosllavisë dërgohen tre mijë pensione, 35 mijë në shtetet e BE-së.
Shuma e paguar vjetore për këto 300 mijë pensione është 6 miliardë franga (4 miliardë euro); nga kjo shumë pensionistët nga ish-Jugosllavia marrin vetëm 0.7 për qind. Llogaritet se fillimisht autoritetet zvicerane do t'ua ndërpresin pensionet 50 personave me banim në Kosovë.
Çfarë na mësojnë këto tri lajme - për Kadarenë, Bashkim Berishën dhe për pensionistët mashtrues? Natyrisht se nuk është punë e Qeverisë së Kosovës të merret me botimin e veprave të Kadaresë në hapësirën gjermanofolëse, por gjithsesi, obligim i shtetit është që përmes politikave aktive, të ndihmojë në integrimin e shqiptarëve në diasporë, në radhë të parë duke garantuar funksionimin e ligjit në Kosovë.
Atëherë, as rasti B.B. dhe as rasti i pensionistëve mashtrues, nuk do të merrte përmasa të tilla, që të zinte faqet e para të gazetave në Zvicër dhe shqiptarët e Kosovës të përmenden vetëm në kontekst negativ.