E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Berisha të mos vonojë negociatat

07/09/2009  Kompozimi i qeverisë së re, PDI kërkon të jetë pjesë

“Qëllimi i partisë sonë do të jetë ai i zgjidhjes së çështjes çame”

Kompozimi i kabinetit të ri qeveritar do të vijojë të sjellë të tjera negociata mes PD-së dhe partive të koalicionit qeverisës. Kështu, pas Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane i mbetet tashmë Partisë për Drejtësi dhe Integrim të zhvillojë bisedimet e radhës me kreun e mazhorancës, Kryeministrin Sali Berisha. Një fakt i tillë u bë i ditur nga vetë kreu i PDI-së Tahir Muhedini, i cili lëshoi një apel për kreun e qeverisë, duke i kërkuar këtij të fundit të mos vonojë përfshirjen në qeveri të subjektit që ai drejton. Në gjykimin e Muhedinit qeveria e re do të kishte sukses në punën e saj, nëse PDI-ja do të ishte në radhët e saj. Ndërkohë, duke bërë me dije lidhur me synimet që kërkon të realizojë kjo parti, Muhedini u shpreh se “qëllimi i partisë sonë në koalicion me Berishën do të jetë ai i zgjidhjes së çështjes çame dhe se këtë do ta bëjë vetëm duke sensibilizuar faktorin ndërkombëtar. Por për të arritur deri këtu duhet pjesëmarrja në qeverisje”. Gjithashtu, duke u ndalur po në një çështje të tillë, Muhedini bëri me dije se në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie u shpreh shqetësimi se negociatat për qeverinë re pothuajse janë në përfundim dhe partia e çamëve s’ka marrë asnjë propozim. “Ne jemi në pritje të negociatave për të marrë në qeveri rolin tonë përfaqësues. Kryesia vendosi që ditën e hënë të mbajmë një ekuilibër, por edhe të kërkojmë nga Berisha si është puna dhe si do të veprohet, pse po vonohet, çfarë problemi ka.” Ndërsa sa i takon pozicionit të kësaj partie kundrejt PBDNJ-së së drejtuar nga Vangjel Dule, Muhedini u tregua kritik ndaj pjesëmarrjes së kësaj partie në politikë. “Nuk kam asnjë kompleks ndaj Dules, por them se ai duhet të ndryshojë kursin. Dule ka arritur në pikën e qarqeve antishqiptare”, - vuri në dukje ai. Sipas Muhedinit, do të ishte në të mirë të Dules nëse PBDNJ-ja do të bashkëpunonte me PDI-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›