Jave pozitive per lekun ndaj euros

Kjo javë ka shënuar një lëkundje të fortë për monedhën europiane kundrejt shportës së valutave ndërkombëtare. Që pas ditës së diel, me zgjedhjet elektorale në Francë dhe Greqi, Euro ka pësuar tronditje të mëdha kryesisht ndaj dollarit amerikan, stërlinës britanike dhe jenit japonez por edhe ndaj lekut shqiptar. Leku ka mbyllur një javë të suksesshme ndaj euros. Gjatë gjithë këtyre ditëve zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka qenë i pandalshëm në tregun vendas të këmbimit valutor. Euro e ka mbyllur javën me 0.43 lekë më pak se në fillim të javës duke u kuotuar në nivelin e 139.44 lekëve. Ndërkohë që monedha amerikane është forcuar, nga ana tjetër, me 0.27 lekë që nga fillimi i javës. Kjo favorizon huamarrësit në euro, që zënë rreth 70% të totalit të kredive në sistem si dhe ndikon në uljen e çmimeve të produkteve të importuara. Ekspertët e tregut valutor e lidhin këtë situatë tërësisht me gjendjen në Eurozonë dhe zhvlerësimin e euro në bursat ndërkombëtare. Situata e paqëndrueshme politike në Europë, ku kriza e thellë në Greqi ka nxitur debatet për largimin e saj nga Eurozona, si dhe zgjedhjet politike në Francë, ku ende ka dyshime nëse presidenti i sapozgjedhur në Francë, Hollande, do të bashkëpunojë me Gjermaninë për vijimin e masave të ndërmarra deri më sot kundër krizës, janë arsyet kryesore që po dobësojnë vazhdimisht monedhën europiane, ndërkohë që shtohen frikërat për një rikthim të tensioneve financiare në tregjet europiane. Kundrejt dollarit amerikan euro ka rënë ndjeshëm për nëntë sesione në radhë, duke prekur nivelet minimale për më shumë se tre muaj. Por edhe ndaj monedhës japoneze, euro është ulur në minimumin historik në gati një tremujor. Ekspertët shprehen se zhvlerësimi i euros pritet të zgjasë edhe gjatë javës së ardhshme, përsa kohë Europa ka paqëndrueshmëri politike dhe Greqia të jetë nën dilemën e daljes nga euro.