Rriten eksportet drejt Italise
Eksportet shqiptare drejt Italisë në janar-mars 2012 pësuan 10% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke paraqitur kështu një tendencë krejt të kundërt nga eksportet shqiptare në përgjithësi. Me një vlerë prej 25.95 miliardë lekë ato janë sa 57% e eksporteve në total. Ndërkohë, një vit më pare drejt Italisë shkuan 45% eksporteve tona. Kjo tregon për interesin ende të lartë të lartë të fqinjëve italianë për të bashkëpunuar në fushën e tregtisë së jashtme me vendin tonë. Performanca e mirë e eksporteve erdhi nga ruajtja e nivelit të rieksporteve të tekstile-këpucëve, të cilat zunë 52% të totalit të vlerës së eksportuar në Itali për periudhën janar-mars 2012. Në këtë grup futen kryesisht prodhimet e bizneseve që punojnë me fason, si qepja e tekstileve apo edhe këpucëve. Këto bizneset kanë treguar se në top listën e kontratave që lidhin vijojnë të mbeten sipërmarrësit italianë. Por, ndikimin më të madh në rritjen e tyre e dha edhe shtimi i eksportit të lëndës djegëse.
Sipas Institutit të Statistikave, në mars 2012 u eksportuan 16,722 mln lekë mallra, me rritje 10.2 përqind në krahasim me Shkurt 2012 , por me ulje me 1.4 përqind në krahasim me mars 2011.