Jehona kosovare

Më 15 shkurt, në sallën ‘Espace Senghor’ të Brukselit, në kuadër të koncertit Electrobelge, do të ketë premierën vepra më e re e kompozitores Donika Rudi.
Këtë koncert prestigjioz, i cili ka karakter tradicional, e organizon asociacioni më i njohur në Belgjikë (dhe ndër asociacionet më me renome në Europë), i cili promovon zhvillimin e muzikës elektroakustike dhe më konkretisht, atë të muzikës akusmatike. Në këtë koncert do të kenë premierën gjithsejtë 12 vepra të kompozitorëve belgë. Kurse njëra ndër to është zgjedhur pikërisht kjo e kompozitores kosovare.
Përpos kësaj, interpretimi i veprës së Donikës, e titulluar ‘Echoes of the Cryng Earth’, do të realizohet përmes 77 altoparlantëve, kurse difuzimin do ta bëjë vetë autorja.
Përmes një komunikate për media, Rudi pohon se ‘Musiques & Recherches’ organizon Festivalin Ndërkombëtar ‘Espace du Son’ (Hapësira e tingullit) pastaj konkursin ndërkombëtar ‘Metamorphoses’ si dhe koncertin e përvitshëm ElectroBelge ku promovohen veprat e muzikës akusmatike të kompozitorëve belgë.
Kjo qendër është ndër të rrallat në Europë, që posedon ‘Acousmonium’, që është një sistem shumë i veçantë difuzimi e që formon një ‘orkestër’ unike altoparlantësh të ngjyrave dhe frekuencave të ndryshme.
“Pjesëmarrja në këtë koncert është shumë e rëndësishme për mua meqë është koncert dedikuar veprave të reja akusmatike nga kompozitorët belgë dhe të gjendesh në atë mes është kënaqësi dhe respekt i madh ndaj punës kompozitoriale që unë bej”, është shprehur ajo.
Sipas saj, nuk është e shpeshtë dhe e lehtë rruga për të arritur, për t’u prezantuar para një publiku që ka kulturë të madhe dëgjimi dhe posaçërisht mundësisë për të interpretuar ‘spacializuar’ në një hapësirë me një sistem gjigant difuzimi, me përmbi 40 altoparlantë.
Edhepse kjo nuk është hera e parë që ajo interpreton para publikut belg, Rudi ndihet e lumtur që do të performojë edhe një herë para një publiku profesional.
“Nuk është hera e parë që do të spacializoj (interpretoj) para publikut belg por gjithsesi ndjenja është gjithmonë e jashtëzakonshme kur je para një publiku aq profesional dhe je e ngarkuar të dizajnosh tingullin në një hapësirë unike me mundësi të jashtëzakonshme teknike që rrallë gjenden në qendrat europiane”, tha Rudi.
Donika Rudi, kompozitore shqiptare e muzikës elektroakustike dhe instrumentale, ka studiuar kompozimin në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë në dy drejtime: muzikë instrumentale në klasën e Nicolas Bolens, Eric Gaudibert Michael Jarrell dhe drejtimin e elektroakustikës me Rainer Boesch, Emile Ellberger, Eric Daubresse dhe Luis Naon. Te ky i fundit edhe specializoi në Conservatoire de Musique de Geneve. Ajo është udhëheqëse e “Qendrës së Muzikës Elektronike – NOISE” si dhe drejtoreshë artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Re ‘ReMusica’ që mbahet në Prishtinë.
Kompozimet e saj janë interpretuar ë Kosovë, Shqipëri, Francë, Zvicër, Itali, Bullgari, Belgjikë etj.