E Diel, 1 Nëntor 2026

Jelko Kacin: Kriza, Shqipëria po i përcjell Brukselit mesazh negativ

Fajon: Propozimi për vizat, në qershor. Vendimi? Shpejtësia varet nga autoritetet tuaja

Jean Louis De Brower, numri dy i zyrës së Komisionit Europian që merret me çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën, i ka informuar eurodeputetët e Komitetit për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Europian gjatë pasdites së djeshme me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit. Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku mbështet liberalizimin e vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura ende duhet të realizohen, deri atëherë, nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës. “Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dyja vendet jo më vonë se fillimi i qershorit. Por shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ato duhet të sigurojnë në kohën e duhur se ato janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, theksoi Fajon. Eurodeputetja tregon se Komiteti për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje “urgjente” sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar. “Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit”, diferencohet në komunikatën e raportueses Tanja Fajon. Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjes, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Evropian, eurodeputeti slloven Jelko Kacin tha se “mesazhi më relevant - dhe është një mesazh negativ - që vjen nga Shqipëria, është çështja bazë se cila është përparësia strategjike e udhëheqjes shqiptare tani. Duket se liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore, megjithëse qeveria po bën më të mirën, por nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka perceptimin e vet të dinamizmit të ndryshimeve pozitive në Shqipëri”. Referuar përplasjes politike në Shqipëri, Kacin insistoi se ajo tashmë po e pengon imazhin e Shqipërisë, sepse duket qartë se disa forca politike do të dëshironin ta përdornin rastin e liberalizimit të vizave për të luftuar, ose koalicioni ose opozita, kushdo qoftë. “Kjo përplasje po thellohet dhe nuk po kapërcehet, dhe siç e thashë, kjo dërgon një mesazh shumë të gabuar. Teknikisht çdo gjë është pak a shumë në rregull. Unë isha në Tiranë pak javë më parë. Ne na la përshtypje procesi i kontrollit dhe lëshimit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera. Pra, është shumë evidente se Shqipëria po përparon shumë shpejt, por ju ngritët pyetjen bazë, dhe pyetja bazë nuk është teknike, por është shumë politike dhe në fund të ditës do të jetë një vendim politik, i vendimmarrësve politikë, që në këtë rast janë ministrat e brendshëm (të BE-së)”, insistoi Kacin. I pyetur për faktin se klasa politike në Shqipëri thotë se vendimi mbi vizat është teknik, Kacin u shpreh se “kurdoherë që një politikan bën një deklaratë, ajo është një deklaratë politike. Patjetër, që Shqipëria po bën përparim dhe po përparon shumë shpjet. Por në fund të ditës ne do të bëjmë një vlerësim të gjithanshëm”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›