Remzi Hoxha, gjykata shtyn seancën për shkak të letër-porosive
Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë dje procesin e radhës ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, ish-shikas, të hetuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit, në vitin 1995 në Tiranë. Shkak është bërë mosekzekutimi i letër-porosive në Holandë dhe Itali. Kolegji Penal deklaroi dje se nuk ka asnjë përgjigje nga këto shtete për pyetjen e Avdyl Loshajt, Riza Shehut dhe Eduart çakut. Dëshmia e këtyre personave pritet të jetë shumë e rëndësishme për procesin. Duke qenë se letër-porositë e kërkuara nuk kishin ardhur, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i kërkoi trupit gjykues që seanca të shtyhet për të pritur ardhjen e tyre javën e ardhshme, siç e kërkon edhe ligji. Ndërkohë, avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan shtyrje të seancës deri në zëvendësim të kryetarit të trupit gjykues. Kolegji Penal i Krimeve të Rënda deklaroi se prezenca e kësaj trupe gjyqësore nuk është pengesë ligjore për zhvillimin e seancës. “Megjithatë, deklaroi ai, seanca shtyhet duke marrë për bazë kërkesën e organit të akuzës”. Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro akuzohen për rrëmbim të trefishtë. Një nga të pandehurit, Ilir Kumbaro, nuk ka marrë asnjëherë pjesë personalisht në këtë proces, pasi është emigrant në Angli, ku po i nënshtrohet një procesi për ekstradimin e tij në atdhe.
#