Jemen, Al Kaeda luftë me forcat e ushtrisë
Dy ushtarë të forcave speciale jemenase dhe tre anëtarë të dyshuar të Al Kaedës kanë mbetur të vrarë në përleshje të regjistruara në jug të Jemenit.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave përleshjet u verifikuan në periferinë lindore të qytetit të Zinxhibarit.
Sipas burimeve, të parët kanë qenë militantët që kanë qëlluar me mitralozë ndaj ushtarëve duke vrarë dy prej tyre dhe plagosur 7 të tjerë.
Këta të fundit kanë reaguar po me armë të rënda duke eleminuar tre anëtarë të rrjetit terrorist, që thuhet se e ka kthyer Jemenin prej kohësh në bastionin e tij.
Por, përvec luftimeve mes ushtrisë dhe Al Kaedës, Jemeni vazhdon të jetë i përfshirë nga protestat kundër regjimit të presidentit Ali Abdullah Saleh, edhe pse ky është tërhequr.