E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemen, opozita skeptike për dorëheqjen e Saleh

Opozita politike në Jemen deklaron se është skeptike nëse Presidenti Ali Abdullah Saleh do të japë dorëheqjen brenda disa ditësh, siç u bë e ditur një ditë më parë. Zëdhënësi i opozitës Mohamed al-Sabri tha se deklarata e presidentit ka për qëllim të tërheqë vemendjen para takimit të së martës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mblidhet për të diskutuar përpjekjet e dështuara për ta bindur Saleh, të nënshkruajë një marrëveshje për kalimin e pushtetit. Al-Sabri tha se kanë kaluar tashmë katër muaj që kur Presidenti Saleh tha se kishte pranuar planin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik për kalimin e pushtetit dhe nëse deklarata e tij është serioze, ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

Të paktën tre herë, Saleh ka lënë përshtypjen se ishte pranë largimit nga pushteti që nga muaji prill. Çdo here, ai është tërhequr para se të nënshkruhet marrëveshja e transferimit të pushtetit. Plani i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik i bën thirrje atij t`i dorëzojë pushtetin një prej zëvendësve të tij dhe të lejojë një koalicion partish të formojë qeverinë e unitetit kombëtar. Edhe fituesja e Çmimit Nobel të Paqes këtë vit, Tavakul Karman, shprehu skepticizëm, duke thënë e veprimtarët e lëvizjes anti-qeveritare nuk besojnë se presidenti do të japë dorëheqjen.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›