E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robert Cooper viziton nesër Prishtinën

Në vizitën e nesërme të ndërmjetësit evropian Robert Cooper në Kosovë do të flitet vetëm për aspekte të karakterit praktik sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy zëvendëskryeministra të Kosovës, Edita Tahiri e Hajredin Kuçi, thanë për gazetën "Koha Ditore" se me ndërmjetësin evropian të dialogut do të flasin vetëm për temat që u dështua të viheshin në tryezën e dialogut teknik në fund të shtatorit, kur në Bruksel nuk u paraqit delegacioni serb.
Rikthimin në dialog, Beogradi zyrtar e ka kushtëzuar me gjetjen e një zgjidhjeje për veriun e Kosovës, ku ekstremistë serbë lokalë kanë bllokuar rrugët përdrejt dy vendkalimeve me barrikada në shenjë proteste për vendosjen e policëve dhe doganierëve në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë.
"Nuk do të diskutohet për çështje të brendshme", deklaroi shkurt zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërkohë udhëheqësja e delegacionit kosovar Edita Tahiri komentoi refuzimin e palës kosovare për të mos diskutuar me askënd për çështje të brendshme të shtetit.
"Çështjet politike, përfshirë edhe çështjet e pikave doganore, dalin jashtë mandatit të dialogut teknik", ka thënë Tahiri, duke nënvizuar se "çështjet që janë jashtë mandatit të dialogut teknik s`kemi çka i bisedojmë".
Ndërmjetësi evropian robert Cooper ishte të premten në Beograd, ku u takua për katër orë me shefin e delegacionit serb në dialogun teknik me Kosovën, Borisllav Stefanoviç.
Mandej Cooper u takua edhe me zyrtarë të tjerë serbë, por nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat për çka është diskutuar.
Ndërkohë vetë zyrtarët serbë kanë deklaruar se ndërmjetësi Cooper i ka miratuar qëndrimet e tyre dhe mënyrën se si ata e shohin zgjidhjen e situatës në veri, e veçanërisht në pikëkalimet në Jarinjë e Bërnjak.
Pas takimit, Stefanoviç është shprehur me optimizëm se kërkesat e palës serbe janë dëgjuar nga Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›