Jemeni në prag të krizës së urisë

Situata e paqëndrueshme në Jemen e ka lënë vendin në prag të krizës së urisë. Sipas grupeve të ndryshme të ndihmës, gjysma e popullsisë nuk ka ushqim të mjaftueshëm për familjen.
BBC publikon se në një paralajmërim të përbashkët grupet bëjnë të ditur se 10 milionë persona janë të kequshqyer, prej të cilëve 5 milionë kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Jemeni është tronditur nga protestat pro-demokracisë dhe grupet e ndihmës janë shprehur se fokusi i tyre është të marrin masa për të lehtësuar varfërinë dhe urinë. Mendohet se kequshqyerja është dyfishuar në Jemen që nga viti 2009 dhe problemi është përkeqësuar nga paqëndrueshmëria politike dhe konfliktet.
Gjithashtu kjo situatë ka bërë që gjysmë milioni banorë të largohen nga shtëpitë për shkak të luftimeve.
Dyqanet lokale kanë ushqim të mjaftueshëm, por banorët e zonave nuk kanë të ardhura për të ushqyer familjet e tyre.