Lufta e Sirisë po bartet në Bejrut

Lagjet e klasës punëtore sunite në Bejrut filluan të mbushën me shenja të telasheve, të dielën në mbrëmje, diku rreth orës 21:00. Djelmosha të ri u tubuan, duke barrikaduar lagjet e tyre me goma.
Hidhërimi i të rinjve kishte të bënte me vrasjen një ditë më parë të dy figurave të njohura religjioze sunite, të cilët u vranë me armë zjarri në afërsi të një postblloku të ushtrisë. Dy të vrarët ishin përkrahës të fuqishëm të kryengritjes në Sirinë fqinje dhe për të rinjtë sunitë, ushtria e Libanit, e cila për një kohë të gjatë ka qenë simbol i unitetit kombëtar, në shtetin i cili vuajti për shumë kohë nga lufta religjioze, duket se u shndërrua në armike.
Tendosjet mes lëvizjeve politike në Liban, të ndara në mbështetës dhe armiq të regjimit në Siri, nuk janë ndonjë gjë e re. Por ajo që ndodhi të dielën shkoi shumë përtej kësaj përditshmërie, me të cilën libanezët janë mësuar.
Çdo gjë filloi kur një grup i personave të armatosur bëri përpjekje të mbyll zyrën e partisë Lëvizja Arabe, një grup sunit që është në aleancë me Hezbollahun. Pjesëtarët e partisë të pranishëm në zyre ishin të armatosur, por shumë më të paktë në numër se sa sulmuesit dhe ata u përballen në rrugë me grupin e të rinjve të armatosur, duke detyruar ushtrinë që të intervenojë. Zakonisht, prania e ushtrisë qetëson incidentet e këtilla. Por jo kësaj radhe.
Trazirat filluan në periferi të Bejrutit, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit u vranë tre persona. Pas ngritjes së tendosjeve mes sunitëve dhe lagjeve pro-Sirisë në Tripoli, frika se dhuna do të përhapet edhe në Bejrut u bë realitet të dielën në mbrëmje.
Por si dolën gjërat kaq shpejtë nga binarët? Dhuna e 20 majit ishte kulminacioni i poshtërimit të vazhdueshëm të sunitëve në Liban, poshtërim ky i cili vazhdoi për disa vjet. Në maj të vitit 2008, pjesëtarë të Hezbollahut dhe aleatët e tyre i dhanë fund krizës politike, duke pushtuar lagjet sunite në perëndim të Bejrutit. Më pas, pas shpërthimit të Pranverës Arabe në shtetet e Lindjes së Mesme, udhëheqësi kryesor sunit, Saad Al Hariri, u detyrua që të largohet nga funksioni i kryeministrit, pas trysnisë së ushtruar nga koalicioni i kryesuar nga Hezbollahu. Dhe tani, pasi që po vazhdon kryengritja e sunitëve kundër presidentit të Sirisë, Baschar Al Assad, sunitët në Liban sërish janë të hidhëruar, për shkak të masave që po merr qeveria e Libanit, për të pamundësuar ata që të ndihmojnë sunitët në Siri.
Ajo që ishte e pazakonshme është se dhuna e së dielës nuk u përhap jashtë lagjeve sunite. Lagjja Tareeq Jdeideh kufizohet me lagjen shiite Chiya dhe ekzistonte frika se në përleshje mund të përfshiheshin edhe pjesëtarët e Hezbollahut dhe aleatët e tyre nga radhët e organizatës Amal, por kjo nuk ndodhi. Duket se sulmi i së dielës ishte i drejtuar kundër ushtrisë, për shkak të vrasjes së dy klerikëve sunitë.
Përvoja e majit të vitit 2008 zbuloi se sunitët nuk janë në gjendje të përballen me luftëtarët e trajnuar dhe të armatosur mirë të Hezbollahut. Të dielën, edhe pse pjesëtarët e Hezbollahut nuk ndërhynë, ata megjithatë ndërmorën një aksion për të shpëtuar anëtarët e rrethuar të Lëvizjes Arabe, duke dërguar disa automjete, për t’u siguruar se aleatët e tyre do të evakuohen nga zyra e tyre e rrethuar.
Përkundër faktit se janë njëri prej komuniteteve më të mëdha nëLiban, sunitët kurrë nuk kanë qenë në gjendje të Hezbollahut në rrugë, fakt ky tjetër që i bën ata të ndihen edhe më të poshtëruar.
“Qeveria po na vret. Hezbollahu mund të bëjë çfarë të dëshiron. Ata mund të pushtojnë tërë vendin, nëse e dëshirojnë këtë. Sunitët nuk kanë atë”, deklaroi një sunit i dëshpëruar.
Mund të thuhet se vlerësimi i tij është një vlerësim mjaft korrekt. Sunitët sot në Bejrut nuk kanë pushtet të vërtetë politik.
Është mungesa e kryesimit të vërtetë politik që e ngarkon edhe më shumë Libanin. Që nga largimi i Haririt vitin e kaluar, asnjë udhëheqës politik sunit nuk ka arritur të sigurojë respektin, për të zënë vendin e tij dhe për të lëvizur diç në Liban.
Rafiq Al Hariri, i ati i Saadit dhe kryeministër shumëvjeçar i vendit, dikur arriti të mbajë komunitetin të bashkuar, falë ndihmave të mëdha financiare nga sauditët. Sidoqoftë, vrasja e tij në vitin 2005 ka lënë prapa një vrimë, të cilën biri i tij nuk ka arritur ta mbushë.
“Shiitët e kanë udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallahun dhe udhëheqësin e Amalit, Nabih Berri, për t’i udhëzuar se kur duhet të luftojnë dhe kur duhet të ndalen dhe shiitët i dëgjojnë udhëheqësit e tyre. Po sunitët? Kemi fotografinë e një njeriu të vdekur”, thotë një sunit i frustruar në Bejrut. (Foreign Policy)