Jeni kundër një njeriu që nuk ka frikë nga vdekja
Policia franceze është duke hetuar pasi në media dolën pjesë të regjistruara nga biseda mes policisë dhe terroristit Mohamed Merah, në kohën kur ai ishte nën rrethim.
Regjistrimet e realizuara gjatë rrethimit që zgjati 32 orë, u transmetuan nga televizioni kombëtar francez TF1.
Terroristi Merah u thotë policëve se do të vazhdojë të vrasë dhe se ata nuk e dinë se janë kundër një njeri që e do vdekjen më shumë se jetën.
E di që ka një mundësi që të më vrisni, kështu që do e marr përsipër këtë rrezik. Kështu që ja ku jemi. Ju e dini se jeni kundër një njeriu që nuk ka frikë nga vdekja, dëgjohet duke thënë 23 vjeçari në klip.
Ai zbuloi përpara policëve se do të vazhdonte vrasjet, pa asnjë përgatitje e pa paralajmërim. Sipas tij, qëllimi ishte të vriste ushtarët e angazhuar në Afganistan dhe të gjithë aleatët e tyre, kudo që janë.
Duke folur për vrasjet në shkollë, ai tha: Mora motoçikletën dhe shkova atje, ashtu pa e menduar më parë. Në fund të ditës ishte qëllimi im, por mëngjesin tjetër, kur u zgjova, nuk ishte objektivi im.
Ministri i Brendshëm, Manuel Valls, ka dënuar vendimin e TF1 për të transmetuar pjesë nga negociatat, duke thënë se dëshmon mungesë respekti për të afërmit e viktimave.
Merah vrau tre ushtarë dhe katër hebrenj në mars.