E Diel, 1 Nëntor 2026

Jensen: Vizat s‘janë dhuratë. Gjermania: Kujdes me administratën

Integrimi nuk duhet konceptuar si një dhuratë. Ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, deklaroi dje hapur se Shqipëria duhet të realizojë me sukses detyrat e shtëpisë dhe vetëm më pas të presë liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Gjatë emisionit "Wake Up" në "Top Channel" ambasadori Jensen theksoi se Shqipëria ka mbetur prapa në krahasim me vendet e tjera, të cilat e realizuan këtë proces para saj. "Nëse do ta krahasonim me një klasë shkolle, për shembull, Shqipëria nuk ka qenë shumë mirë në kryerjen e detyrave, vende të tjera i kanë bërë shumë mirë detyrat e tyre të shtëpisë. p.sh në lidhje me liberalizimin e vizave", tha ambasadori. Në vlerësimin e tij, ajo që Shqipëria dhe shqiptarët duhet të kuptojnë është se integrimi në Bashkimin Europian dhe liberalizimi i vizave nuk është një dhuratë politike, nuk është një vendim politik, por është një shpërblim që ju merrni pas kryerjes së detyrave tuaja të shtëpisë.

"Është diçka teknike, kur ju kryeni detyrat tuaja, ju merrni liberalizimin e vizave", u shpreh Jensen. Duke kërkuar zgjidhjen e krizës politike në vend, ambasadori Jensen theksoi se i gjithë procesi dhe kohëzgjatja e tij është në dorë të Shqipërisë, por ai nuk duhet të konsiderohet i thjeshtë. "Është në dorë të shqiptarëve sepse çështja është sa shpejt do të kryeni detyrat e shtëpisë. Nëse ju do t‘i kryeni shumë shpejt, do të vijë edhe liberalizimi i vizave. Megjithatë duhet të mendoni edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, sepse duhet që misionet të vijnë këtu, që të vlerësojnë përparimin e bërë dhe raportet e tyre do të shkojnë në komision dhe aty do të merren vendime sesa të kënaqshme janë arritjet. Dhe ata do të duhet t‘u sugjerojnë vendeve anëtare nëse ata duhet t‘i heqin vizat për Shqipërinë. Pra është një proces i gjatë, jam i sigurt që do të ndodhë, por ajo që dua të theksoj sërish është se është në dorë të shqiptarëve", u shpreh Jensen.

Në të njëjtën ditë edhe ambasada gjermane, nëpërmjet zëdhënëses së saj, nënvizoi shqetësimin që vërehet edhe në progres-raportin e BE-së për lëvizjet e shpeshta për arsye politike në administratën publike në Shqipëri. Në fund të dhjetorit pritet të publikohen rezultatet e studimit të parë për zbatimin e legjislacionit në administratën publike, si një prej pikave gjithmonë të kritikuara nga ndërkombëtarët pas çdo procesi zgjedhor në Shqipëri.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›