E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli Rehn: Bojkoti nuk dëshmon për pjekuri politike

Brukseli përforcon mesazhet e tij ndaj liderëve politikë shqiptarë. Ndërsa një ditë më parë Presidenca Suedeze u bëri thirrje palëve të ulen për të gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë të integrimit të vendit, dje Olli Rehn theksoi rëndësinë e pjekurisë politike, duke rivlerësuar se bojkoti parlamentar bie ndesh me këtë parim. Në një konferencë për shtyp, i pyetur përse thirrja për dialog nuk i drejtohet vetëm opozitës që qëndron jashtë Parlamentit, por të gjitha partive politike, komisioneri Olli Rehn tha se "është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë ndaj një dialogu më të mirë politik në Shqipëri. Kjo nuk është një mënyrë europiane e të bërit politikë, duke bojkotuar Parlamentin. Ndaj bëj apel ndaj çdokujt që mund të garantojë përmirësimin e kushteve, në mënyrë që ky bojkot parlamentar të marrë fund". Unë do ta mirëprisja shumë një përparim të mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. "Por, një nga kriteret kyçe politike të Kopenhagenit më duhet të them se është stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike. Bojkoti parlamentar, për nga përkufizimi, është në kundërshtim me pjekurinë demokratike", theksoi Rehn.

Sakaq, BE-ja e "zgjidhi" qesen për Ballkanin, por me kushte dhe vetëm për projektet që nuk përfundojnë në xhepa të tjerë. Është mbyllur në Bruksel konferenca për ndihmën e Ballkanit Perëndimor që të dalë nga kriza ekonomike. Në fund të konferencës: Komisioni Europian, Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës, me mbështetjen e anëtarëve të Bashkimit Europian kanë lançuar dje marrëveshjen për investimet në Ballkanin Perëndimor, si një prioritet i financimit europian. Objektivi është të grumbullojë dhe koordinojë burime të ndryshme financiare dhe të japë kredi dhe grante me prioritet për projektet në vendet ballkanike. Në deklaratën e lëshuar nga Komisioni Europian, theksohet se në fillim do të fokusohet në sektorët e infrastrukturës, duke përfshirë atë sociale dhe më pas do të zgjerohet me një mbështetje në ndërmarrjet e vogla dhe sektorin eficent të energjisë. Në takimin e parë të komitetit, u vendos që të akordohen 26 milionë euro grante për asistencë teknike, për të mbështetur 26 projekte në rajon, ku bëhet fjalë për sektorë të ndryshëm. Projektet pritet që të tërheqin 2.2 miliardë euro kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi në konferencë se "në kohëra të turbullta, procesi i zgjerimit të BE-së është një spirancë për stabilitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE do ta ndihmojë rajonin të dalë sa më butë nga impaktet e krizës ekonomike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›