Korrupsioni alarmon ndërkombëtarët
"Imuniteti pengon hetimin e rasteve të korrupsionit te zyrtarët e lartë, por edhe në sistemin gjyqësor". Ky është një prej shqetësimeve që has organi i akuzës në rastet e hetimit të korrupsionit. Me këtë deklaratë, përfaqësuesi i prokurorisë, Arben Kraja, riktheu edhe një herë në vëmendje një ndër çështjet më të debatuara në politikën shqiptare, heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, deputetët, gjyqtarët etj. Me rastin e ditës ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në bashkëpunimin me prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi një tryezë me temë: "Së bashku kundër korrupsionit!". Kraja deklaroi se ka përpjekje nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të luftuar një fenomen të tillë çka, sipas tij, haset në çdo nivel. Prokuroria, sipas tij, ka bashkëpunuar me institucionet përkatëse, siç është edhe ILDKP, për të evidentuar rastet e korrupsionit. Por siç sqaroi ai, në Shqipëri korrupsioni është i përhapur në çdo nivel. Ndaj është parë si pengesë imuniteti te zyrtarët e lartë dhe në sistemin gjyqësor. "Imuniteti na pengon në hetimin e rasteve të korrupsionit te zyrtarët e lartë dhe në sistemin gjyqësor. Ka dy të vërteta. Një që korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet dhe e dyta që fenomeni duhet goditur nga lart", tha ai. Ndërsa një tjetër përfaqësues i një prej strukturave të rëndësishme që hetojnë krimin ekonomik, Arben Doçi, dha disa të dhëna në lidhje me punën që bën ky institucion për evidentimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit. Doçi tha se në 11 muajt e fundit ka pasur rreth 190 raste që janë evidentuar dhe për të cilat është mbledhur informacion. Falë punës së kësaj strukture, janë bllokuar në formën e depozitave bankare 4 milionë euro, nga të cilat 3.1 milionë janë kryer me vendim gjykate. Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrrolit të Pasurive, Adriatik Llalla, vuri në dukje informalitetin në regjistrimin e pasurive në regjistrat publikë, si një problem thelbësor për një hetim të thelluar administrativ ndaj interesave private të zyrtarëve. Nisur nga kjo, kreu i këtij institucioni sugjeroi shtimin e mëtejshëm të presionit pozitiv të organizmave joqeveritare ndaj institucioneve publike, për të qenë më aktive në luftën kundër korrupsionit. Duke vlerësuar angazhimin e deritanishëm të aktorëve të shoqërisë civile në projekte antikorrupsion, drejtuesi i ILDKP-së u shpreh se "inspektorati nxit të gjithë aktorët e organizmave joqeveritare që të forcojnë më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë, pasi e vlerësojmë si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për evidentimin, parandalimin dhe shmangien e abuzivitetit me pushtetin publik nga ana e personave që ushtrojnë funksione në mbrojtje të këtij interesi". Sakaq, të pranishmit në tryezë, përfaqësues të organizatave të ndryshme, e vunë theksin në bashkëpunimin mes tyre, institucioneve dhe medias, për ta luftuar këtë fenomen. Lutfi Dervishi, përfaqësuesi i TIA-s, duke përmendur të dhëna mbi këtë fenomen dhe pasojat e tij, iu referua pikërisht Bankës Botërore. Dervishi kërkoi kryerjen e sa më shumë reformave dhe përafrimin e legjislacionit me atë të vendeve të Bashkimit Europian, si një mënyrë për të luftuar korrupsionin. Ai u fokusua edhe te çështja e financimit të partive politike, e përmendur në çdo fushatë elektorale. Duke vlerësuar se është mjaft pozitiv sanksionimi në Kodin Zgjedhor, auditimi nga ana e KQZ-së i financimeve të partive, duket se shifrat e deklaratave janë shumë larg asaj çfarë është parë nëpër sheshe.