E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformë të vazhdueshme në polici, për rritjen e standardeve të saj”

Deklaron ministri Basha në promovimin e tre botimeve të OSBE-së për çështje të policimit Ministri i Punëve të Brendshme Lulzim Basha u shpreh dje për reformë të vazhdueshme në Polici, në mënyrë që të arrihen standardet më të larta. Gjatë promovimeve të tre botimeve të OSBE-së, për çështjet e policimit, ministri Basha në fjalën e rastit u shpreh se këto botime nuk janë thjesht literaturë për t’u lexuar, por praktika që sigurojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe e sjellin policinë më afër qytetarëve. “Kusht të rëndësishëm të një shoqërie demokratike e të sigurt”, e cilësoi ministri Basha bashkëpunimin mes forcave të zbatimit të ligjit dhe komunitetit. Basha vlerësoi në fjalën e tij se si rrjedhojë e zbatimit të filozofisë së policimit në komunitet, besimi i komunitetit ka ardhur në rritje dhe kjo demonstrohet nga numri gjithmonë e më i madh i telefonatave të publikut. Kujdes të veçantë për ndjekjen e procedurave dhe kryerjen e veprimeve kur kemi të bëjmë me të miturit, u kërkoi ministri i Brendshëm punonjësve të policisë, duke shtuar se praktikat diskriminuese dhe keqtrajtuese në këtë drejtim duhet të jenë pjesë e së shkuarës. Ministri Basha garantoi se do të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për të influencuar në rritjen e bashkëpunimit të policisë me komunitetin, si dhe me përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e pushtetit vendor. Një theks të veçantë në fjalën e tij, ministri Basha i dha faktit se rruga e reformimit të vazhdueshëm të policisë për rritjen e standardeve të saj, kërkon ndryshime që synojnë të jenë sa më cilësore. “Nuk mund të anashkalojmë faktin që policia arriti të përballojë me sukses shkurtimin e personelit të saj dhe të rrisë standardet e policimit në komunitet si dhe rezultatet në luftën kundër krimit. Ndaj ju them që të mos trembemi nga ndryshimet, por të punojmë me vendosmëri që të përshtatemi dhe të përfitojmë sa më shumë prej tyre”, u shpreh Basha. Duke përmendur faktin se sipas strategjisë shtatëvjeçare të Policisë së Shtetit Shqiptar, qëllimi afatgjatë strategjik është krijimi i një ambienti të sigurt për publikun shqiptar, Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch theksoi se kjo është ngushtësisht e lidhur me zbatimin e filozofisë së policimit në komunitet. “Besoj se këto botime do të kthehen në mjete të dobishme në përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të forcuar edhe më tej atmosferën e besimit dhe mirëkuptimit mes policisë dhe publikut të gjerë”, u shpreh ambasadori Bosch.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›