E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen Keti Bazhdari

Keti Bazhdari

Kryetarja e PS-së Shkodër, Keti Bazhdari, dha dje dorëheqjen. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Bazhdari ka thënë se një iniciativë e tillë është ndërmarrë, pas vendimit më të fundit të kryetarit të PS, Edi Rama, për ta vënë Bazhdarin në krye të Grupit të Punës së PS, që kjo parti ka vendosur të ngrejë për hartimin e programit në favor të ish të përndjekurve politikë. Bazhdari ka falënderuar të gjitha strukturat e PS-së me të cilat punoi që prej kohës kur erdhi në krye të kësaj dege. U duk e papritur si fillim kjo dorëheqje, pas një tryeze të suksesshme të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë me ish të përndjekur politikë lidhur me programin e ri të PS-së, ku pritet të trajtohet dhe kjo kategori sociale. Por në fakt, largimi i Bazhdarit nga drejtimi i PS për Bashkinë e Shkodrës ka qenë i pritshëm me kohë, nisur edhe nga rezultati i fundit në zgjedhjet lokale të PS, të mbajtura më 8 majin e vitit të kaluar në Bashkinë e Shkodrës. Kandidati i PS për Bashkinë e Shkodrës, Genc Uruçi, që njëkohësisht është edhe kryetari i PS për rrethin e Shkodrës, humbi me një distancë të madhe rreth 10 mijë votash, ndaj kandidatit të PD, kryetarit aktual të Bashkisë, Lorenc Luka. Nisur nga ky fakt, ku dihet se PS ka ndërmarrë një fushatë zgjedhore në ato njësi vendore ku janë humbur zgjedhjet lokale, Keti Bazhdari,  si kryetare e PS për Bashkinë, ashtu dhe Genc Uruçi si kryetar i PS së i rrethit Shkodër, ishin piketuar që të shkarkoheshin dhe të fillonte puna për të përgatitur zgjedhjet e reja lokale në Shkodër,  që mendohet se do të realizohen më 15 mars. PS e Shkodrës nuk ka qenë e qetë gjatë gjithë procesit zgjedhor të vitit të kaluar, kur palët akuzonin njëra-tjetrën për mosbashkëpunim në zgjedhjet e 8 majit. Vetëm pak ditë më parë shpërtheu një tjetër polemikë mes socialistëve shkodranë, kur një pjesë e Asamblesë socialiste të  rrethit ka hartuar një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të rrethit të PS për Shkodrën, Genc Uruçi. Pjesë e kësaj polemike u bë edhe   deputeti i PS për Shkodrën, Tomë Doshi, i cili duke komentuar këtë  temë u ka pohuar socialistëve shkodranë se as Genc Uruçi dhe sa Keti Bazhdari nuk do të jenë më në krye të PS në Shkodër.

Të përndjekurit
Bazhdari është drejtuese e Grupit të Punës në PS, që po detajon trajtimin e ish të përndjekurve dhe ish të burgosurve politikë në programin e ri të kësaj partie. Tryeza e zhvilluar pak ditë më parë nxori në pah zhgënjimin e kësaj kategorie sociale ndaj Partisë Demokratike dhe skepticizmin se Partia Socialiste me programin e ri të saj do të zgjidhë problemet e tyre. Pas tryezës së Tiranës, Grupi i Punës do të lëvizë në të gjitha qarqet e vendit ku do të marrë kontakte, sugjerime dhe vlerësime për trajtimin e ish të përndjekurve kur ajo të vijë në pushtet.

Zgjedhja
Keti Bazhdari është zgjedhur në krye të PS së Shkodrës, në fundvjeshtën e vitit 2010, pas shkarkimit të ish-kryetarit të asaj kohe, Edip Shiroka. Ky i fundit pasi guxoi të kritikonte hapur kryetarin Edi Rama në lidhje me mënjanimin e tij nga përcaktimi i kandidaturave të deputetëve të PS për zgjedhjet e vitit 2009, u largua nga kjo forcë politike duke kaluar tek LSI. Prejardhja e saj si përfaqësuese e një familje të persekutuar u pa si një qasje e re e PS në këtë qytet, në përpjekje për të thyer bastionin e PD-së me të cilën ka vite që përballet pa sukses.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›