Zela: Uroj Sajmirin për fitoren, të bashkojë të dyja platformat

Ilir Zela
Kandidati për kreun e PS-së Tiranë falënderon mbështetësit e tij.
Kandidati për kreun e PS-së së Tiranës, Ilir Zela, i cili garoi përballë Sajmir Tahirit që doli fitues nga kjo garë, falënderoi dje të gjithë mbështetësit e tij. Përmes një e-mail-i dërguar në redaksitë e gazetave, por dhe të publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Zela përshëndet të gjithë anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës për zgjedhjen që bënë përmes votës së tyre. Fitorja Fillon nga Tirana! Bashkim, Bashkim, Bashkim! Përfshirje, Përfshirje, Përfshirje! Falënderoj 153 anëtarët e Asamblesë socialiste të PS-së Tiranë të cilët votuan platformën time! Falënderoj 390 motrat dhe vëllezërit e tjerë të cilët votuan atë të Saimirit! Nga zemra i falënderoj 543 anëtarët që morën pjesë në votim! Falënderoj Edi Ramën për vlerësimin që u bëri të dyja platformave! Falënderoj Presidentin Meidani, Profesor Pëllumbin dhe legjendën e të gjitha fitoreve të PS në kryeqytet, Musa Ulqinin për pjesëmarrjen në këtë mbledhje të Asamblesë!, shprehet Zela pas humbjes së tij në garën për kreun e Tiranës. Po,r kandidati përballë Tahirit, pas urimit për fitoren, i kërkon këtij të fundit që të bëjë pjesë të punës së tij të dyja platformat e ballafaquara në këtë garë. Uroj Saimirin për fitoren dhe e ftoj ti bashkojë të dy platformat! Falënderoj të gjithë motrat dhe vëllezërit socialistë anëtarë të AS, të cilët iu përgjigjën ftesës sime për BASHKIM! Falënderoj Arben Malajn i cili, me dashuri vëllazërore, por edhe me përgjegjësi politike, me inkurajoi të hyja në këtë garë, por mbajti distancën e duhur prej saj si anëtar i Kryesisë së PS! Falënderoj të gjithë deputetët socialistë të Tiranës dhe anëtarët e udhëheqjes së PS për qëndrimin e tyre korrekt ndaj kësaj gare, shprehet Zela në njoftimin e tij. Për ish-themeluesin e FRESSH-it në 1991, falënderimet për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj gare shkojnë dhe për figura të njohura në PS. Falënderoj Thoma Gëllçin, Rajmonda Stefën, Andis Harasanin e të gjithë të tjerët për mbështetjen publike ndaj meje pa shkelur statutin e PS! Falënderoj anëtarët e stafit të PS, Kristaq Tilen, Gëzim Kopon, Besnik Deden e të gjithë të tjerët që u kujdesën për organizimin fantastik të mbledhjes së AS! Falënderoj Aldrin Dalipin dhe Zërin e Popullit për publikimin e platformave dhe respektimin e alfabetit të shqipes sonë të bukur! shprehet Zela. Ai nuk harron të falënderojë dhe përfaqësuesit e medias së pavarur që pasqyruan fushatën e tij zgjedhore, përmes platformës apo intervistave të publikuara.