Presidenti, proces që garanton ndarjen e shtetit nga pushteti

Ditmir Bushati
Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian në Parlamentin shqiptar, Ditmir Bushati, në një intervistë për Panorama, akuzon qeverinë se nuk ka përmbushur asnjë nga prioritetet që janë detyrë e saj për integrimin e vendit. Sipas tij, opozita po jep të gjithë kontributin e saj për reformën zgjedhore dhe parlamentare, por dhe për ligjet me 3/5-tat. I pyetur nëse Fatos Nano mund të jetë një kandidaturë konsensuale, Bushati shprehet se PS kërkon një proces mes palëve për çështjen e Presidentit, i cili do të konkludojë me një figurë që do të garantojë ndarjen e shtetit nga pushteti.
Komisioneri për Zgjerimin, Fule, përshëndeti miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal e në të njëjtën kohë ripërsëriti qëndrimin e njohur për përmbushjen e 12 prioriteteve nga ana e Shqipërisë, në mënyrë që të fitohet statusi i vendit kandidat.
Më lejoni fillimisht të shpreh mirënjohjen për vendosmërinë dhe dedikimin e ekipit të komisionerit Fule për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces. Pjesë e kësaj ndihmese duhet të konsiderojmë edhe rikujtuesen e kthjellët për rregullat e kodifikuara të procesit të zgjerimit dhe detyrat e papërmbushura nga Shqipëria apo vizitat e shpeshta në Tiranë të drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Stefano Sannino. Dështimi i paprecedentë i Shqipërisë për dy vite radhazi për të siguruar statusin e vendit kandidat dhe çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE është një tregues i qartë i faktit se pikëpamjet e BE-së në lidhje me rrugëtimin europian të Shqipërinë janë të palëkundura. Ato bazohen mbi rezultate të prekshme që vijnë si pasojë e ndërmarrjes së reformave përmbajtësore dhe jo mbi angazhime të papërmbushura që mbeten veç në letër. Plotësimi i 12 detyrave të shtëpisë që na ka lënë BE-ja përbën jo thjesht një avancim në rrugëtimin europian, por bazamentin mbi të cilin duhet të mbështetet transformimi demokratik i shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Pse PS-ja ndryshoi qëndrim në momentin e fundit dhe u dha dritën e gjelbër ndryshimeve në Kodin Penal? A ka pasur ndikim faktori ndërkombëtar në këtë ndryshim qëndrimi?
Kolegët në Komisionin e Ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare, që kanë shqyrtuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, kanë bërë një punë të lavdërueshme në përmirësimin e cilësisë së tyre, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Diskutimi për Kodin Penal ka përfshirë ekspertizën më të çmuar vendëse dhe atë të misioneve të asistencës ndërkombëtare në Shqipëri. Nuk është PS-ja që ndryshoi qëndrim, por është Berisha që kërkonte me pathos alibinë për mosmarrjen e statusit te një dispozitë e Kodit Penal.
Jemi përpjekur për gjetjen e një emëruesi të përbashkët deri në çastin e fundit. Por, nga ana tjetër, nuk kemi vënë për asnjë moment në pikëpyetje angazhimin për të miratuar Kodin Penal, për shkak të kokëfortësisë që tregoi shumica qeverisëse ndaj amendamentit në lidhje me manipulimin dhe deformimin e të dhënave zyrtare. Shqyrtimi i amendamentit në Komisionin Parlamentar të Integrimit Europian dhe atij të Ekonomisë e Financave, siç u kërkua më të drejtë nga kolegët tanë në Komisionin e Ligjeve, veçse do të shtonte koeficientin demokratik në procesin ligjvënës. Përfaqësuesit e nderuar të trojkës në Shqipëri janë vënë në dijeni vijimësisht për kursin e përkushtimin e qartë reformist të PS-së. Në këtë kontekst, mund tju them se kemi marrë përgëzime për punën e kryer.
Kryeministri Berisha akuzon opozitën si bllokuese të këtij procesi, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, deklaroi se ekzistojnë shanset reale për të marrë statusin këtë vjeshtë. Në vështrimin tuaj, cili është bilanci i përmbushjes së 12 prioriteteve dhe a ka gjasa të fitojmë statusin e vendit kandidat?
Bilanci është i qartë. Faktet janë të pakundërshtueshme. Përgjegjësia e forcave politike për ketë objektiv kombëtar është e përbashkët, por asimetrike. Dëshiroj të sqaroj opinionin publik se qëllimi i aplikimit është anëtarësimi në BE. Ky qëllim fillon e konkretizohet me çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Ndërkohë që akordimi i statusit të vendit kandidat është një hap i ndërmjetëm për të përgatitur vendin në rrugën drejt tryezës së bisedimeve. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë: Statusi i vendit kandidat dhe çelja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është interes kombëtar që smund të tradhtohet për asnjë interes tjetër personal, sepse besojmë se integrimi sështë vetëm miratim ligjesh, po edhe zbatim ligjesh, sështë përbetim me fjalë, por tregues me vepra.
Falë këtij angazhimi në rrugën e reformave që garantojnë një mjedis demokratik, është përmbushur gjysmëprioriteti që ka të bëjë me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Them gjysmë, pasi nuk është bërë ende asnjë hap përpara drejt rregullimit më të shëndetshëm të procesit të emërtesave kushtetuese larg ekzekutimit politik (prioriteti 3), për shkak të qëndrimit refraktar që mban PD. Jemi në fazën fundore të përmbushjes së prioritetit 2, që ka të bëjë me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, duke qenë se ka mbetur për tu shqyrtuar gjatë vetëm ligji për Gjykatën Administrative.
Po me prioritetet e tjera si po ecet për përmbushjen e tyre?
Asnjë avancim, madje hapa prapa. Ne humbëm mundësinë për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme vendore (prioriteti 5). Nuk ka ende vullnet të demonstruar nga PD-ja për të vijuar me pjesën thelbësore të reformës zgjedhore (prioriteti 4) dhe asaj parlamentare (prioriteti 1). E shoh me vend të sqaroj këtu se të gjitha propozimet që janë kaluar deri më tani në lidhje me reformën zgjedhore dhe parlamentare janë propozime të përgatitura nga opozita. Ndërkohë që PD duket e kënaqur me status quo dhe e interesuar për alibinë e radhës në dështimin e procesit të kandidimit në BE. Reforma në drejtësi (prioriteti 7), administratën publike (prioriteti 6), lufta kundër korrupsionit (prioriteti 8), krimit të organizuar (prioriteti 9), garantimi i të drejtës së pronësisë (prioriteti 10), mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut (prioritetet 11 dhe 12), mbeten përgjegjësi ekskluzive të papërmbushura të qeverisë Berisha. Nuk dëshiroj të përfshihem në rrjetën e baltës që dëshpërimisht thur Sali Berisha, por e sfidoj publikisht që ti tregojë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtare se çfarë po bën qeverisja e tij për përmbushjen e këtyre prioriteteve. Mjegulla e fajësimit të opozitës është reminishencë bolshevike. Ajo nuk i pengon as bashkëqytetarët e as partnerët ndërkombëtarë që të shohin si qëndrojnë gjërat në të vërtetë. Përgjigja e vjeshtës për Shqipërinë do të varet nga të paktën tri çështje, të cilat i shoh të ndërlidhura me njëra-tjetrën: (i) procesi që do të paraprijë dhe shoqërojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës; (ii) ecuria dhe shëndeti i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare; (iii) provat e qarta e të pakundërshtueshme të luftës kundër korrupsionit dhe reformave që lidhen me shtetin e së drejtës.
Përmendet çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë mirëkuptim nga klasa politike për zgjedhjen e një Presidenti mbi palët. A është në gjykimin tuaj kandidatura e Fatos Nanos e tillë?
Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj dhe rrjedhimisht të lexuesit, që të përqendrohemi te procesi dhe jo emri i Presidentit të ardhshëm. Aq më tepër që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese dhe nuk do të ishte e denjë për Shqipërinë shtet 100 vjeç që politika e media të hamendësonin e spekulonin për emrat që tani. Kushtetuta imponon konsultime politike mes forcave politike parlamentare për të gjetur ujdinë në funksion të zgjedhjes së një Presidenti mbi palët e