Fullani: Ekonomia në ngërç tre muajt e parë të 2010-ës
nertila maho
Ngërçi ekonomik në vendin tonë është shfaqur qartë gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani këtë e pohon ecuria e treguesve fiskale, monetarë dhe pritjet e biznesit e të konsumatorit të cilat shprehin një ecuri të ngadaltë të ekonomisë vendase. Një kreditim i tkurrur karshi individit, një rritje e ulët e të ardhurave buxhetore dhe një inflacion i lartë janë disa nga pikat ku u ndal Guvernatori për të përshkuar tremujorin e parë të këtij viti jo shumë favorizues për ekonominë shqiptare. “Politika fiskale në muajt e parë të vitit 2010 ka ndjekur trendin e frenimit të ekspansionit fiskal, të shfaqur që gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009. Shpenzimet buxhetore janë rritur me ritëm të përmbajtur, prej rreth 4 për qind në terma vjetorë. Nga ana tjetër, ngadalësimi i kërkesës vazhdon të diktojë ritme të ulëta të rritjes së të ardhurave buxhetore”, tha Guvernatori. Më optimiste shfaqet situata për bizneset në këtë tremujor të parë të 2010-ës. Fullani informoi se për shkurtin rritja vjetore e kredisë për sektorin privat, pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, rezultoi 5.4 për qind. “Kredia për biznese ka pasqyruar një ecuri më të mirë në muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e përmirësimit të likuiditetit në valutë dhe lehtësimit të kushteve të kreditimit për ta”, tha ai. Por situata nuk paraqitet kaq favorizuese lidhur me kreditimin e individëve. “Kredia për individin vazhdon të tkurret me ritme të njëjta me ato të fund-vitit të kaluar. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kërkesa për kredi mbetet e ulët, e kushtëzuar nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe sjellje më e kujdesshme e agjentëve ekonomikë në drejtim të kredi-marrjes”, tha Guvernatori. Ndërkohë që në disfavor të konsumatorëve gjatë periudhës janar-mars, ka qenë edhe ecuria e çmimeve të konsumit. “Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e parë të vitit 2010 rezultoi 4.1 për qind, lehtësisht mbi kufirin e sipërm të tolerancës rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Rritja e çmimit të administruar të energjisë ka dhënë një kontribut prej 0.5 pikë përqindje në formimin e inflacionit vjetor në këtë tremujor, duke përcaktuar kështu edhe tejkalimin e këtij kufiri”, detajoi Fullani.
Kriza greke
Kriza greke e cila me përkeqësimin e saj të vazhdueshëm është kthyer në debatin e institucioneve financiare ndërkombëtare të cilat kanë ngritur si shqetësim mundësinë e përhapjes në rajon. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, tha dje se në këtë situatë lind si nevojë ndjekja nga afër e çdo zhvillimi në shtetin fqinj por gjithsesi ai garantoi se sistemi bankar shqiptar është i sigurt nga kjo krizë. “E rëndësishme është të kuptojmë që sistemi bankar shqiptar është një sistem i veçantë. Bankat greke që bëjnë pjesë në këtë sistem, janë entitete shqiptare të kontrolluara nga Banka e Shqipërisë. Niveli i treguesve të këtyre bankave të kapitalit, likuiditetit, fitimit dhe treguesve të tjerë të supervizionit është më i mirë se niveli standard evropian dhe se treguesi i bankave mëma në Greqi”, tha Guvernatori. Ai theksoi se bankat në Shqipëri gëzojnë aktivitet normal dhe karakterizohen nga rritja e vazhdueshme e depozitave gjë që tregon se kredibiliteti i parakrizës është rikuperuar totalisht si pjesë e sistemit bankar shqiptar.
Beqja: Fullani të japë të vërtetën e ekonomisë
Deputeti socialist Ilir Beqja reagoi dje menjëherë pas deklaratës së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke i kërkuar atij të japë të vërtetën e ekonomisë shqiptare. “Guvernatori të thotë cila është e vërteta e ekonomisë. Sot, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, përsëriti deklarimin e INSTAT se rritja ekonomike për vitin 2009 është 3.3 %. Këtë shifër nuk e beson më askush. Edhe FMN ka deklaruar se rritja është më pak se 3 %. Guvernatori duhet të shpjegojë a qëndron deklarata e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 prill 2010. Kushdo mund të llogarisë se, sipas asaj deklarate, rritja ekonomike para dy javësh ishte 0%”, u shpreh Beqja.