Jepen 25 vjet burg për pedofilin Kaminski
Vendimi
Gjykata e Durrësit dënon në mungesë 72-vjeçarin që abuzoi seksualisht me tre të mitur
Gjykata e Durrësit ka dënuar me 25 vjet burg në mungesë pedofilin amerikan Carl Stephan Kaminski, i cili abuzoi seksualisht me tre djem të mitur gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Rrashbull. Trupi gjykues i kryesuar nga Fejzo Hysi ka dhënë dënimin maksimal të parashikuar në legjislacionin penal shqiptar për pedofilin Kaminski. Procesi ndaj 72-vjeçarit Kaminski nisi në nëntor të vitit të kaluar. I prezantuar në vendin tonë me emrin e rremë David Gerard Golderstein, ai u dënua për marrëdhënie homoseksuale me pasoja të rënda ndaj tre fëmijëve, vepër kjo e kryer gjatë viteve 2003-2004, kur me emër dhe shtetësi të rreme, mbërriti në vendin tonë në kuadër të një veprimtarie bamirësie dhe u vendos në një shtëpi me qira në fshatin Rrashbull. Kundrejt premtimit për ti ndihmuar të mësojnë kompjuterin dhe gjuhën angleze, Kaminski ka arritur të joshë fëmijët dhe gjatë abuzimit me ta ka bërë foto të cilat më pas i shiste në internet për qëllime fitimi. Në kompjuterin e tij personal u gjetën mijëra foto me abuzime të fëmijëve 5-12 vjeç. Ai u arrestua në vitin 2006 në Gjermani për dokumentacion të falsifikuar dhe pas kryerjes së dënimit atje u ekstradua në SHBA, po gjatë gjykimit në Shqipëri autoritetet nuk mundësuan dot ekstradimin, pasi nuk u arrit të përcaktohet vendndodhja e tij. Gjykimi ndaj Kaminskit, edhe pse në mungesë, është kryer me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë që paraqet çështja, veçanërisht lidhur me viktimat e abuzimit dhe familjet e tyre. Pedofili dyshohet se mund të ketë kryer abuzime edhe me fëmijë të tjerë, por për tre rastet për të cilat dhe u dënua, ka pasur prova të pakundërshtueshme nga familjet dhe dëshmitë e prindërve, por edhe të fëmijëve të abuzuar në atë kohë, njëri prej të cilëve tashmë në moshë madhore vuan nga skizofrenia refraktare, pasojë e dhunimit të cilit i është nënshtruar në fëmijëri. Hetimet në Shqipëri nisën në maj të vitit të kaluar, çështja e Kaminskit iu referua Prokurorisë së Përgjithshme nga autoritetet amerikane që kishin dyshime se ai mund të kishte kryer abuzime seksuale edhe me fëmijë të tjerë në Shqipëri gjatë periudhës dyvjeçare që ka qëndruar në vend. Sipas akuzës, ai përdorte emër të rremë. Edhe në Shtetet e Bashkuara ishte denoncuar të paktën tri herë për abuzime seksuale me të mitur dhe dënimin e parë e ka marrë në moshën 30-vjeçare. Pala amerikane dhe ajo gjermane në letër-porositë përkatëse kanë grumbulluar prova në lidhje me aktivitetin e Kaminskit në vendin tonë. Gushtin e kaluar, autoritetet amerikane ndër të tjera përcollën pranë autoriteteve shqiptare edhe një CD me mijëra foto me fëmijë, që Kaminskit i janë gjetur në banesë dhe në kompjuterin e tij personal. Në fotot që i janë sekuestruar pedofilit, konstatohen vepra të turpshme seksuale me fëmijë të vegjël, kryesisht djem të moshës 5 deri në 12 vjeç. Nga verifikimi që iu bë CD-së së mbërritur nga jashtë në Durrës rezultoi se midis fotove janë edhe ato të tre djemve të vegjël të moshës 8 deri në 12 vjeç, të cilat i përkasin kohës së qëndrimit të tij në fshatin Rrashbull. Pikërisht abuzimi me ata të tre u vu në qendër të procesit gjyqësor që çoi në gjykimin fajtor dhe dënimin e Kaminskit me 25 vjet burg, ndonëse nuk dihet nëse ai do arrijë ta vuajë ndonjëherë këtë dënim. V. Qyrfyçi
Jepen 25 vjet burg për pedofilin Kaminski burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email