Jeremic: Serbia s’i ndryshon prioritetet

“Serbia, gjatë 2012-ës, pikësëpari do të veprojë në atë drejtim që Ballkani Perëndimor të avancojë në paqe dhe stabilitet. Për përparimin e Ballkanit, çështjet e pazgjidhura duhet të trajtohen në atë mënyrë që të mos e dëmtojnë sigurinë rajonale”, ka thënë Jeremiq në hapjen e Konferencës së Pestë të Ambasadorëve në Pallatin e Serbisë, siç transmeton Evropa e Lirë.
Duke kujtuar se prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë janë proces evropian, Jeremic tha se pengesa kryesore në këtë proces qëndron te mosmarrëveshjet për Kosovën.
Ai ka përsëritur pesë pikat për Kosovën të presidentit të Serbisë, Boris Tadic: "të sigurohet zgjidhje e qëndrueshme për veriun e Kosovës, mbrojtja e enklavave serbe në jug të Kosovës, të ruhet identiteti serb dhe trashëgimia fetare në tërë Kosovën, si dhe të sigurohet prona private".
Në Beograd po mbahet Konferenca e Pestë e Ambasadorëve, në të cilën merr pjesë një numër ambasadorësh serbë në botë, ndërsa mysafir special raportohet të jetë ministri portugez i Punëve të Jashtme, Paulo Portash.