Lunaçek: Dhuna e së shtunës duhet të hetohet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka thënë se ngjarjet që kanë ndodhur gjatë protestës të së shtunës, duhet të hetohen në mënyrë të pavarur.
“Do të ishte shumë e rëndësishme sikur të ndodhte një hetim i pavarur në lidhje me atë se si filloi dhuna dhe çfarë force është përdorur nga Policia e Kosovës. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka thënë se është përdorur vetëm gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. Por shumë njerëz janë lënduar dhe mua më vije jashtëzakonisht keq për këtë”, ka thënë Lunaçek, raporton portali Dukagjini.
Ajo u ka bërë thirrje drejtuesve të Vetëvendosjes që ta anulojë protestën e 22 janarit, por, nëse ajo mbahet, atëherë Policia duhet të përdor vetëm forcë minimale.