Jeremiç: Statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, është shprehur në Uashington se statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur, ndonëse qeveria e tij nuk përpiqet të mbajë të ngrira problemet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm serb tha se anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është përparësia kryesore e Serbisë dhe debati se në cilin drejtim
duhet të shkojë vendi ka përfunduar. Ndërkohë, ai përsëriti në mënyrë kategorike refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i jashtëm serb, i cili po luan rolin kryesor në përpjekjet e Serbisë për të bllokuar njohjet e reja për Prishtinën, tha se statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur. Ai tha se pavarësia e saj nuk mundi të marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit, të Bashkimit Europian dhe shumicës së vendeve anëtare të OKB e prandaj, sipas tij, nuk mund të vazhdojë. Por, Jeremiç nuk përmendi se shteti i ri gëzon njohjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve më të mëdha perëndimore si dhe është anëtar i dy institucioneve të mëdha financiare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.