E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tymnaja e drejtorit të GKA, mbulon konkursin për bustin e Fan Nolit

Mungesë transparence në konkursin për realizimin e skulpturës kushtuar figurës kombëtare


Për të përjetësuar figurën e shquar kombëtare të Fan Nolit, i cili do të vendoset në qytetin Ibrik Tepe-Turqi, Galeria Kombëtare e Arteve, para disa ditësh shpalli Konkursin Kombëtar, për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar figurës së shquar kombëtare Fan Noli, i cili do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të tij të lindjes. I konsideruar si një prej konkurseve të rëndësishme, të cilat janë në vijim të aktivitetit të GKA, sot nëse mund të flasim për të, vëmë re se

ky konkurs është i rrethuar me një tymnajë, e cila natyrisht që shkaktohet nga drejtuesit e këtij institucioni. Që në fillim për këtë konkurs, ajo që bie në sy është mungesa e transparencës, gjë e cila nuk ndodh për herë të parë në këtë institucion të artit pamor. Kanë qenë dhe shumë veprimtari të tjera, të cilat janë mbuluar me një mjegullnajë, e cila ka ardhur si pasojë e politikave drejtuese që ndiqen në këtë institucion kulturor, të cilat në shumë raste lënë për të dëshiruar. E njëjta politikë po ndiqet dhe me këtë konkurs të rëndësishëm, për të përjetësuar figurën e shquar të Fan Nolit, ku busti i tij do të shkojë në Ibrik-Tepe të Turqisë. Tashmë është bërë traditë në këtë institucion, që juria të përfaqësohet shumë pak me specialistë apo artistë të fushës në konkurset që zhvillon GKA, e ndërkohë që e njëjta gjë po ndodh dhe tani me këtë konkurs për bustin e Fan Nolit. Nëse ne do të shikojmë dhe shumë konkurse të tjera, vihet re po e njëjta gjë, e cila pa dyshim që ndikon në vlerat e konkursit. Kështu në juri mund të jenë përfaqësues të fushave të ndryshme të artit, si historisë, letërsisë, etj, por nuk janë skulptorë, pra mungojnë specialistët, ata që duhet të jenë tamam për këtë punë dhe të japin verdiktin e tyre. Në juri mund të jetë vetëm një specialist, që zgjidhet nga drejtori i galerisë dhe është po ai që vendos, në marrëdhënie ose koordinime të tjera. Duke parë këtë që po ndodh me Galerinë Kombëtare të Arteve, mund të themi se në kaq vite ne nuk kemi parë konkurse letërsie, ku në komisione të jenë përfaqësues të artit vizual, apo skulptorë, përkundrazi ato janë të ndërtuar me specialistë të fushës, pra të gjithëve na lind pyetja, se përse bëhet ky diskrimin në këtë rast, pra me konkurset që zhvillohen në GKA. Por nëse ky është problemi që ekziston sa i takon anëtarëve të jurisë me këto konkurse, janë dhe shumë gjëra të tjera që nuk shkojnë në këtë institucion të artit pamor. Kështu produktet e prodhuara nga konkursi, që janë bocetet asnjëherë nuk prezantohen para publikut, artdashësve të artit. Asnjë rezultat nuk shihet, por bllokohet çdo gjë në Galerinë e Arteve dhe nuk arrin që ti shohë njeri? Pra na lind pyetja tjetër, se përse këto mos të prezantohen dhe pse është kjo mungesë transparence në këtë institucion të artit pamor? Kjo pikëpyetje i shkon drejtor të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku sërish shihet një tymnajë,  e cila vjen për shkak të politikave që ndiqen. Pra shikohet se ka shumë abuzime, që nuk janë të parat në konkurse të tilla që zhvillohen në këtë institucion të artit, ku për shkak të abuzimeve dhe mungesës së transparencës edhe më parë ka pasur reagime për shumë konkurse të tjera që janë zhvilluar. Asnjë bocet nuk duhet mbajtur i mbyllur, por ai duhet të prezantohet tek publiku, pasi kështu çdo gjë bëhet transparente, ndërkohë që në GKA politikat që ndiqen bëjnë që ato të mos i bëhen të ditura publikut. E nëse flasim për bocetet, këto janë vepra artistike, dhe si të tilla janë të denja dhe e kanë vendin në një ekspozitë, në një kohë kur kjo mungon. Nëse do të ishte një ekspozitë para se komisioni të jepte verdiktin e tij për fituesin, kjo do të ishte shumë e mirë dhe e denjë për një konkurs të përmasave të tilla. Nëse do të ishin këto, atëherë mund të themi se edhe drejtuesit e këtij institucioni kanë të drejtë të flasin për transparencë, por kur shihet se ndodh e kundërta, atëherë konstatohet se politikat e tyre drejtuese lënë për të dëshiruar.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›