E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç: “Vendosja e EULEX-it me miratim të OKB-së”



Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiqç ka deklaruar se çështja e vendosjes së misionit EULEX në Kosovë dhe integrimi i Serbisë në Bashkimin Europian “nuk janë absolutisht të ndërlidhura”, dhe ka shtuar se Beogradi mbetet në qëndrimet e tashme për kushtet e vendosjes së misionit civil në Kosovë.
Është i mundur një rol më i madh i BE-së në kuadër të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, por vetëm me kusht që kjo zgjidhje të jetë e pranueshme për Beogradin dhe të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka thënë Jeremiç.
Ministri serb është shprehur se përgjegjësinë më të madhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë e ka ekipi ligjor, që përbëhet nga ekspertët më të shquar vendorë, dhe ka shtuar se ky ekip që pritet të paraqitet në GJND, do të përforcohet edhe më ekspertë ndërkombëtarë. “Mund të jemi optimistë, lidhur me suksesin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”,- ka thënë Jeremiç, për të shtuar se, “tashmë Serbinë e pret një betejë një ose dy vjeçare në institucionin më të lartë ndërkombëtar të drejtësisë”.

Mali i Zi kundër referendumit për njohjen e Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç ka deklaruar se pushteti malazez nuk do të pranojë organizimin e referendumit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Nuk ka rast në botë që dikush për shkak të politikës së jashtme dhe çështjeve të shtetit tjetër, të ketë kërkuar organizimin e referendumit në shtetin e vet, siç kërkojnë tani partitë opozitare në Mal të Zi”,- ka deklaruar Krivokapiç për një të përditshme të Podgoricës. Krivokapiq ka thënë se me “mitropolitët e tillë kisha serbe mbetet edhe më tej kërcënim kryesor për Serbinë demokratike dhe paqen në rajon”. “Meqenëse autorët e luftës nuk janë dënuar si duhet dhe ideologjia e tyre e gjakut dhe trollit nuk është çrrënjosur, atëherë kësaj radhe i besoj zotit Radoviç”,- ka thënë Krivokapiç. Ai ka shtuar se i njëjti program për shtet të madh është aplikuar nga kuislingët çetnikë në Luftën e Dytë Botërore dhe është aktivizuar në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Surroi: “Kosova nuk po funksionon si shtet”

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova nuk është shtet funksional dhe pushteti që aktualisht ka Kosova nuk buron nga Kushtetuta e saj. Dokumenti që më së paku zbatohet në Kosovë, sipas Surroit, është Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Këto komente Surroi i bëri në një debat me temën “Nga njohja deri të krijimi i shtetit – Si më tej në Kosovë? organizuar nga Iniciativa Europiane e Kosovës dhe nga Fondacioni “Henrich Boll”.
Sipas tij, e vetmja pjesë që institucionet e vendit janë treguar të vëmendshme është kontrollimi i parasë publike. Ai ka thënë se në Kosovë ka përzierje pushtetesh në mes të UNMIK-ut, strukturave paralele serbe, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës. Dhe kjo përzierje pushtetesh, sipas tij, sjell deri tek një paqartësi se kujt duhet t'i përgjigjen këto institucione që aktualisht veprojnë në Kosovë.

Shutanoviç: ”Kosovës nuk i kanosen konflikte të armatosura”

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Dragan Shutanoviç, në një intervistë për javoren austriake “Profil” ka thënë se, nuk beson se Kosovës i kanosen konflikte të armatosura. Ai megjithate ka shtuar se mund të ndodhin disa incidente të vogla sporadike.
Ministri serb ka theksuar se nuk qe vendimi i vendeve të rajonit për njohjen e Kosovës nuk kontribon në stabilitetin e rajonit dhe nuk do ta përshpejtojë integrimin e tyre në Bashkim Europian.
“Nëse kjo është kaq e thjeshtë, atehërë ato tashmë do të ishin pjesë të BE-së”,- ka theksuar Shutanoviç.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›