Kosova dërgon 10 ambasadorët e parë në ndërtesa me qera
10 ambasadorët e parë të kosovarë janë dërguar në vendet që e njohën të parat shtetin e ri. Dislokimi i këtyre ambasadorëve pritet të bëhet brenda kësaj jave në vendet e emëruara. Zëvendës ministrja Vlora Citaku ka sqaruar se fillimisht ambasadorët do të vendosen në ndërtesa me qera apo në hotele deri sa qeveria e Kosovës të përfundojë blerjet e hapësirave në kryeqytetet e vendeve ku ata do kryejnë detyrën diplomatike. Blerja e ndërtesave nuk pritet të ndodhë këtë vit, por vitin që vjen. Blerja e ndërtesave për ambasadat nuk është thjesht një çështje e blerjes së pasurisë së patundshme, por ajo lidhet me çështjen e integritetit dhe sovranitetit, ndaj i nënshtrohet protokolleve dhe procedurave speciale për blerje. Dihet se Ambasadat konsiderohen si territor i shtetit të cilit i përket ambasadori. Kryeqytetet që do presin dhjetë ambasadorët e parë dhe emrat e ambasadorëve u përcaktuan më 2 shtator nga presidenti kosovar Fatmir Sejdiu. Ata janë: Avni Spahiu në Uashington; Muhamet Hamiti në Londër; Muhamedin Kullashi në Paris; Vilson Mirdita në Berlin; Albert Prenkaj në Romë; Ilir Dugolli në Bruksel; Bekim Sejdiu në Ankara; Sabri Kicmari në Vjenë; Naim Mala në Bërn; dhe Gazmend Pula në Tiranë. Aktualisht nuk janë emëruar ambasadorë të tjerë edhe pse Kosova është njohur tashmë nga 51 shtete të botës.
Ndërkohë presidenti Fatmir Sejdiu ka sqaruar se Kosova do të shtrijë rrjetin e vet diplomatik brenda mundësive të saj pasi vendi nuk e ka zgjidhur përfundimisht çështjen e hapjes së ambasadave. Për këtë arsye të ngarkuarit me punën e ambasadorëve, fillimisht do të punojnë nëpër objekte me qira dhe me staf të kufizuar. Sidoqoftë, presidenti Sejdiu tha se shtrirja e diplomacisë kosovare ka një rëndësi të madhe në këtë fazë kur Kosova si shtet i ri merr ofertat e vendeve tjera për ndërtimin e raporteve diplomatike. “Mund të them se janë hapa vërtet të rëndësishëm që janë bërë krahas pjesës objektive të vështirësive që ne kemi. Është një strukturë bërthamë e diplomacisë së Kosovës dhe e prezantimit të vendit në vende të rëndësishme dhe mendojmë se do të vazhdojmë me shtrirjen misioneve diplomatike për aq sa do të kemi mundësi”. Presidenti Sejdiu tha se pas Uashingtonit, Brukselit, Londrës dhe qendrave të tjera të rëndësishme botërore, hapi tjetër i Kosovës do të jetë hapja e ambasadave në vendet fqinje, por edhe në Skandinavi. Duke u ndërlidhur me aspekte të zhvillimeve të brendshme politike, presidenti Sejdiu u shpreh i bindur se në Kosovë nuk do të ketë vakum dhe paqartësi në lidhje me misionet ndërkombëtare. Ndërkohë ditën e sotme në Prishtinë do të hapet ambasada e Norvegjisë. Për këtë qëllim në Kosovë arriti Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme e këtij shteti, Elizabet Valas. Diplomatja norvegjeze ka shprehur përkushtimin e shtetit të saj për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Ishinger, pro bisedimeve me Beogradin për statusin e Kosovës
Ish-ndërmjetësi i Bashkimit Europian për statusin e Kosovës, Ambasadori Gjerman, Volfgang Ishinger, është shprehur i bindur për hapjen e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit. Në një intervistë ai u shpreh se të dyja palët duhet të tejkalojnë kundërthëniet mbi çështjet e statusit. Ai tha se procesi i ri, që sipas tij mund të ndodhë pas disa vjetësh, do të zhvillohet vetëm me kërkesën e palëve. Ambasadori Ishinger, që ndërmjetësoi në bisedimet shtesë në vitin 2007, së bashku me përfaqësuesin amerikan, Frank Uisner, dhe atë rus, Aleksander Botsan Kharçenko, tha se të dyja shtetet duhet të arrijnë një të ardhme së bashku, pa kufij dhe nën ombrellën e BE-së. Ai tha se zgjidhja më e mirë do të ishte integrimi i shqiptarëve dhe serbëve në Bashkimin Europian në të njëjtën kohë. Ambasadori gjerman shfaqi besimin e tij se ideja që ka shtruar gjatë procesit negociator për një status bazuar në marrëveshjen e dy shteteve gjermane në vitin 1973, do të rishtrohet sërish si mundësi e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Sipas tij çështja e rezolutës serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tani do të jetë në duart e Hagës dhe për një kohë nuk do të jetë temë për të cilën do të debatohet në mënyrë të dhunshme.
21 Tetor 2008