Jeremiç hap beteja në Presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Vuk Jeremiç
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka shkaktuar beteja diplomatike në Europën Lindore me ambicien e tij për të drejtuar Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sipas agjencisë AFP. Ministri i Jashtëm lituan, Audronius Azubalis, ka akuzuar Rusinë se po kthen armiqësinë e kohës së Luftës së Ftohtë, duke mbështetur ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, për presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vend të kandidatit lituan, Dalius Cekuolis. Azubalis shtoi se Jeremiç është përpjekur të shantazhojë vendin e tij. Ministri lituan tha se Jeremiç e kishte kërcënuar Lituaninë me shpagim diplomatik nëse Cekuolis refuzon të tërhiqet nga gara, duke thënë se Serbia do të tentojë të bllokojë ambicien e Lituanisë për një vend dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në periudhën 2014-2015. Por, ministri serb i ka mohuar akuzat duke u shprehur në AFP se Serbia meriton të marrë një pozicion të rëndësishëm ndërkombëtar. Këtë vit presidenca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është komentuar se do ti jepet një vendi nga Europa Lindore. Anëtarët e 193 vendeve do të votojnë në qershor, për herë të parë që nga viti 1991, për shkak të kandidimit të Jeremiçit, sepse ata nuk kanë rënë dakord për mbështetjen e një kandidati të vetëm. Sipas AFP-së, nga 23 vendet e Grupit të Europës Lindore, Jeremiç dhe Azubalis po bëjnë një fushatë të ashpër për fitoren e tyre në Nju Jork. Azubalis tha se duke refuzuar të votonin në një grup rajonal, Rusia dhe Serbia po përpiqen të vendosin veto për ambiciet e Lituanisë. Ai shtoi se Lituania e ka paraqitur kandidaturën e saj në qershor 2011 dhe ai ishte habitur shumë në janar të këtij viti, kur mësoi se edhe ministri serb po garonte për këtë post.