E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç takon Rajs, SHBA “i mbyll dyert” kërkesës serbe

 

Ndërsa Perëndimi deklaron në mënyrë zyrtare, qoftë drejtpërdrejtë apo tërthorazi, se Kosova është shtet më vete, Serbia po përpiqet dhëmbë për dhëmbë të kthehet pas, me shpresën se historia e vitit të fundit do të fshihet.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, gjatë lobimit në vendet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t’i bindur ata të votojnë pro kërkesës për të çuar pavarësinë në Hagë, ka qëndruar në Uashington. Ai është takuar me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, e cila ka shprehur qartë se Shtetet e Bashkuara janë kundër nismës serbe, pasi Kosova tashmë është shtet i njohur nga 46 vende të botës, dhe se rrethanat e saj nuk mund të çonin në një tjetër zgjidhje. Jeremiç i kërkoi SHBA-së që të mos e ndalë nismën e Serbisë për rezolutën që do të kërkojë në shtator. Ai ka deklaruar në takimin me Rajs se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova dhe se me çdo kusht do të kërkojë të miratohet kërkesa e saj mbi dërgimin e legjitimitetit të pavarësisë në Gjykatën e Hagës. Ndërsa serbët brenda Kosovës po luftojnë me mjete të tjera. Dje u mblodh Asambleja e Përgjithshme e serbëve të Kosovës, një institucion paralel në Mitrovicë i vlerësuar si i paligjshëm nga autoritetet ndërkombëtare e kosovare, dhe vendosi që misioni EULEX nuk ka për t’u shtrirë në komunat serbe. Ata thanë se nëse EULEX do të përdorë forcën për të hyrë në “territorin e tyre” pasi konsensusin nuk do ta ketë kurrë, atëherë forcat evropiane do të përballen me rezistencën e banorëve serbë, që kanë premtuar të bëjnë gjithçka për të “mbrojtur interesat e tyre”. Serbët në Kosovë kërkojnë që misioni EULEX të mos zëvendësojë UNMIK-un në procesin e rikonfigurimit, pasi nga ana e tyre nuk ka gjasa që ky mision të njihet si legjitim pa marrë më parë një konsensus të vendeve të Këshillit të Sigurimit. Por Evropa duket se po anon nga e drejta e Kosovës për të qenë shtet. Drejtori i Komisionit Evropian për Ballkanin, Piere Mirel, tha gjatë një takimi me Presidentin Sejdiu, se Kosova është de facto në procesin e stabilizimit dhe asociimit të BE-së. “Ne kemi dy shtete që nuk janë ende zyrtarisht pjesë të procesit të stabilizim-asociimit. Së pari, Serbia, e cila e ka nënshkruar marrëveshjen, nuk do të vihet në zbatim pa plotësuar bashkëpunimin e plotë me Hagën dhe Kosovën”, tha Mirel. Sipas tij, në Komisionin Evropian brenda dy apo tre muajsh do të nisin bisedimet për mundësinë e nënshkrimit të MSA-së me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›