Aksident hekurudhor në SHBA, mbi 17 të vdekur
Mbi 17 persona kanë humbur jetën gjatë një aksidenti hekurudhor pranë Los Anxhelosit dhe 135 të tjerë janë plagosur, ku disa janë në gjendje të rëndë. Një tren pasagjerësh që transportonte 350- 400 persona është përplasur dje me një tren mallrash 50 kilometra larg Los Anxhelosit. Aksidenti shkaktoi dëmtimin e disa vagonëve, njëri prej të cilit mori flakë. Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Antonio Villaraigosa, pohoi gjatë një konference për shtyp se numri i viktimave mund të shtohet nga ora në orë. Ai e vlerësoi këtë aksident si më të rëndin që ka parë ndonjëherë. Agjencia e lajmeve CNN raportoi se njoftime paraprake flasin se viktimat mund të arrijnë deri në 20 vetë. Dy trenat ndodheshin në të njëjtin binar dhe përplasja ka qenë ballore. Sipas ekspertizave të para, thuhet se problemi ka qenë në një mekanizëm të trenit të pasagjerëve, i cili nuk ka mundur të ndërrojë binar në kohë.