E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jero në hetuesi, denoncoi letërsinë e diktaturës



Për herë të parë publikohen procesverbalet e dosjes “Jero”. “Na tregoni, ç’keni për të thënë rreth fajësisë suaj?”, - kjo pyetje rutinë, e vazhdueshme, pa ndryshuar asnjë presje, do ta shoqëronte dramaturgun Minush Jero në një serial hetuesie nga Elham Gjika, hetues në atë kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më poshtë zbardhen të plota dy nga procesverbalet, hetuesia e dramaturgut Minush Jeros që do të pasohet në vijim me dëshminë unike të regjisorit Mihallaq Luarasi mbi dramën “Njollat e murrme” si dhe gjithë diskursit të tyre në kohën e tyre të vështirë, përballë lëvizjeve të lira kulturore në perëndim. Ishte Jero një idealist i sistemin socialist, që tregoi të metat, apo denoncues që pati vizionin për të kuptuar ç’ishte diktatura?!

“Na tregoni, ç’keni për të thënë rreth fajësisë sua?”, - kjo pyetje rutinë, e vazhdueshme, pa ndryshuar asnjë presje, do ta shoqëronte dramaturgun Minush Jero në një serial hetuesie nga Elham Gjika, hetues në atë kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

I arrestuari Minush Jero dukej si mendjendarë për të zbërthyer në fund gjithë ndërgjegjen e tij që kishte lidhje me ato që quheshin të meta të socializmit.

Më poshtë, për herë të parë dy procesverbalet tregojnë jo vetëm torturën psikologjike për t’u vetëfajësuar, kjo është një anë që tashmë dihet nga funksioni i mekanizmave të diktaturës. Por ajo çfarë lexuesit i vjen sot në dorë për të kuptuar është më shumë një manifest kulturor, çfarë po ndodhte në botën e brendshme të një artisti në vitet ’70. Nuk ishte thjesht fjala për të kundërshtuar politikën, partinë apo për t’u shpallur armiq të popullit. Kjo është gjëja më e pranueshme nga ajo që lexohet më poshtë prej Minush Jeros përballë vizionit të tij mbi kulturën e vendit tonë, stadin ku ajo ishte. Duket si një paralele me ditët e sotme, në kontekstin kulturor, jo si sistem, ku të njëjtat probleme shfaqen. Por Jero këtu e ka dallimin, për të kuptuar edhe pse u “dënua” dhe cili ishte krimi i tij: kundërshtoi me koshiencë të plotë jo vetëm për politikën që po ndiqej nga partia në pushtet, por ka pasur mendimin se krijimtaria letrare e vendit tonë kishte kufizime të tepërta, për shkak se shkrimtarët në atë kohë nuk trajtonin tema të guximshme nga frika se mos i kundërviheshin politikës.

Denoncim që e pati kulmin me vënien në skenë të dramës “Njollat e murrme”, pse më vonë pasoi kjo hetuesi. Do të mjaftonin dhe mendimet e Jeros mbi kinezërirat në jetën kulturore në vend dhe dëshmitë mbi debatet që vlonin mes artistëve, mbi pasionet e teatrit dhe autorët perëndimorë për të zbuluar “armikun” - ndërkohë që artistë e dramaturgë të tjerë i shërbenin me zell partisë, me mediokritetin e tyre. Ishte Jero një idealist i sistemin socialist, që tregoi të metat, apo denoncues që pati vizionin për të kuptuar ç’ishte diktatura?!

Më poshtë zbardhen të plota dy procesetverbale, hetuesia e dramaturgut Minush Jeros që do të pasohet në vijim me dëshminë unike të regjisorit Mihallaq Luarasi mbi dramën “Njollat e murrme” si dhe gjithë diskursit të tyre në kohën e tyretë vështirë, përballë lëvizjeve të lira kulturore në perëndim.

Procesverbal

Në Tiranë më 3 maj 1973.

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme marr në pyetje të arrestuarin Emin Jero.

Pyetje: Jeni arrestuar për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Na tregoni ç’keni për të thënë rreth fajësisë suaj?

Përgjigje: Unë, Emini pranoj fajësinë time, sepse është e vërtetë që në kohë të ndryshme, konkretisht si kohë kur i kam filluar, nuk më kujtohet, kam biseduar me persona të ndryshëm të cilët i kam konsideruar të partisë e të pushtetit, pikëpamje mbi probleme të ndryshme politike e kulturave të vendit tonë. Këto pikëpamje të miat kanë qenë të kundërta në ndonjë rast ose edhe shpeshherë, kundër pikëpamjes së përgjithshme politike që ekzistonte në vendin tonë.

Konkretisht më kujtohen këto pikëpamje të kundërta politike që unë kam patur e biseduar me persona të tjerë:

Në vitin 1963, kur unë lexova për herë të parë revista, gazeta të viteve 1930-1940 të cilat përmbanin edhe shkrime të Frojdizmit që në vetvete ishte teoria e psikanalizës e cila simbas meje kjo teori zbërthente shumë psikologjinë e njerëzve, e individëve të veçantë dhe si rrymë që më pëlqente ka ndikuar edhe në krijimet e mia letrare për atë kohë dhe konkretisht në dramën time “Historia e një nate” botuar në revistën “Nëntori” nr. 1 të vitit 1964. Këtë teori edhe e kam komentuar me persona të ndryshëm, për të cilat do të mundohem të jap shpjegime.

Kam patur mendimin se në krijimtarinë letrare të vendit tonë kishte kufizime të tepërta dhe kjo simbas meje vinte nga fakti që temat për të cilat duhej të shkruhej ishin të pakta dhe të varfra, asnjëri nga shkrimtarët nuk kishte kurajo të kapte tema të guximshme sepse kishin frikë mos i kundërviheshin politikës së vendit.

Po kështu kisha mendimin se letërsia jonë qëndronte në forma të ngurta klasike, sidomos dramaturgjia dhe për këtë doja të gjendeshin forma të reja pa le të ishin këto socialiste, kapitaliste apo revizioniste, kjo për mua nuk kishte rëndësi mjaftonte të tërhiqte vëmendjen e të bënte përshtypje në publik. Mbi bazën e këtyre pikëpamjeve shkrova edhe dramën “Njollat e Murrme”.

Ndër masat që u morrën për revolucionarizmin e mëtejshëm të partisë e të pushtetit, nuk më ka pëlqyer që njerëzit kur të shikonin në punë të ishin veshur me uniformë pune, nuk ishin dakord që puna fizike për mësuesit u bë 45 ditë, s’më pëlqenin transferimet masive të mësuesve. Kam komentuar se këto gjëra në vendin tonë erdhën sepse kopjohej forma e masat e revolucionit kultural kinez.

Format e reja në radio e televizion për vitet 1971-1972, unë i quaja gjëra të reja e pozitive për vendin tonë. Kryesisht për këto gjëra kam biseduar edhe me Mihallaq Luarasin dhe konkretisht. Me sa më kujtohet, nga muaji shkurt i vitit 1972, Mihallaqi më ka dhënë për të lexuar dramën “Armiqtë” të Shpëtim Gines. Kur unë e mbarova mbaj mend që kam ndenjur me Mihallaqin në kafenë e Pallatit të Kulturës këtu në Tiranë, duhet të ketë qenë data 8-9 shkurt i atij viti dhe kam qenë vetëm me Mihallaqin. Unë i thashë atij se nuk më pëlqen kjo dramë sepse përmban dialog që më duket se u takon njerëzve aluçinantë, njerëz të çakërdisur, jo realistë. Mihallaqi më tha që ti nuk e kupton sepse kjo është dramë ultramoderne që arrin në kufijtë e absurdit Beket, ndërsa ti Emin ke mbetur shumë mbrapa në artin modernist që kërkon koha, je akoma në stilin e dramaturgëve Ibsen dhe Breht të cilët janë të realizmit kritik të shekullit 19-20. Unë i thashë Mihallaqit që pse ne duhet të shkruajmë këtu në Shqipëri me rrymën e absurditetit që ka Beketi. Mihallaqi më tha se edhe ne këtu në Shqipëri duhet të kemi artin tonë absurd që e kërkon zhvillimi siç e kanë të gjitha vendet e tjera të botës. Më gjatë, këtë bisedë nuk më kujtohet ta kem zgjatur mbase unë ika për në Durrës erdhi koha për orarin e trenit dhe kështu u ndamë.

Nga fundi i vitit 1971 ose fillimi i vitit 1972, në një rast tjetër jam takuar me Mihallaq Luarasin në një ditë të diel në Pallatin e Kulturës dhe pastaj shkuam të dy deri nga pazari sepse ai do të psoniste. Gjatë rrugës, Mihallaqi më tha se i kishin propozuar për ta bërë drejtor të televizionit. Unë i thashë çne ti drejtor televizori, ti nuk merr vesh nga politika. Mihallaqi më tha se tashti nuk ka shumë rëndësi politika, kryesore është arti. Unë, atje do të merrem me çfaqjen dhe propagandimin e artit, ndërsa me politikë le të merret ndonjë nga zëvendësat e mi apo do krijohet drejtori më vehte. Unë i thashë se po të shkosh atje do të humbasësh si regjisor që je, nuk je i zoti që të mbash politikën edhe sikur ka filluar të propagandohet shumë modernizmi në artin tonë dhe mos nuk e ka të gjatë. Mihallaqi më tha që përkundrazi ky modernizëm në vendin tonë do të shkojë më thellë, ky është edhe udhëzim edh nga lart, që ti kundërvihemi televizionit të huaj, prandaj duhet të ecim me ritmin e kohës në ekspozimin e gjerave moderniste. Unë, tha si po të shkoj drejtor kam edhe leverdi të tjera ekonomike se më rritet rroga e shkoj jashtë shtetit. ------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Në këtë bisedë këto gjëra më kujtohen e pastaj jemi ndarë, por për këtë çështje me Mihallaqin kemi biseduar edhe herë të tjera për të cilat do të mendohem për të dhënë mendime më konkrete.

Në një bisedë tjetër për dramën “Armiqtë” që përmenda më lart, Mihallaqi më tha se ti Minush ke mbetur mbrapa, drama “Ura” që ke shkruar ti është diçka e vjetruar, në kohën e tanishme ka rëndësi forma dhe jo përmbajtja që duhet të ketë shkrimi. Një bisedë e tillë me Mihallaqin e kemi diskutuar në Durrës nga muajt shtator apo gusht të vitit 1971 kur u vu në teatrin e Durrësit drama “Çështja e inxhinier Saimirit”, ku gjatë çfaqjes aktorët lëviznin prozhektorët me dorë. Unë kam thënë që kjo lëvizje e prozhektorëve më duket antiskenike. Mihallaqi më tha se ti nuk i kupton këto gjëra të cilat në kohën e tanishme duken se kanë formë të mirë.--------------------------------------------------------------------

Në biseda të ndryshme që kemi bërë më Mihallaqin, të dy kemi patur pikëpamjen që në teatrin tonë të futeshin forma të artit perëndimor, por veprat perëndimore të kishin përmbajtje demokratike d.m.th të viheshin vepra perëndimore me format e tyre perëndimore. Bile unë në këto biseda i thosha që në këto vepra të kishin një përmbajtje demokratike. Mihallaqi më thoshte se edhe këto vepra perëndimore nuk duhet t’i gjejmë me aq përmbajtje demokratike sa kërkohen sot në Shqipëri, por të jenë më të lira.------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Këto gjëra kryesisht më kujtohen për këtë çështje, por kam edhe biseda të tjera për të cilat do të mendohem dhe do të jap shpjegime.

Disa biseda kryesisht për teatrin unë kam bërë edhe me Bardhyl Kosovën, qe ish-drejtor i teatrit në Tiranë. Në këto biseda Bardhyli kishte pikëpamje estetizante d.m.th që në teatër nuk është konditë që gjatë një viti të vësh në skenë 4-5 drama, por mjafton edhe një dramë me konditë që kjo të jetë vepër e madhe e të bëjë bujë. Në teatër, thoshte ai, duhet të ketë një kolektiv të caktuar dramaturgësh dhe jo të merren dramat e të gjithëve dhe thoshte se shpresa është tek shkrimtarët e rinj sidomos tek Shpëtim Ginaj në të cilin vihen re shprehjet moderniste në shkrimet e tyre. Bardhyli më thoshte se për disa vepra, drama, edhe u duheshin shpjeguar njerëzve në udhëheqje sepse nuk i kuptojnë, prandaj u duhen shpjeguar pikësynimet e autorëve dhe ata mbas kësaj i lejojnë këto drama që të çfaqen në publik. Më kujtohet që në këtë rast Bardhyli më ka thënë që unë kështu veprova me dramën “Arturo Ui” që edhe u lejua të çfaqej.

Me sa më kujtohet, nga muajt gusht-shtator të vitit 1969, përpara se të dorëzoja dramën time “Njollat e murrme” me Bardhylin kam biseduar edhe çështjen e transferimit të gruas time----------------------------------------------------------------------------------------

Përveç kësaj, Bardhyli më ka thënë që do të mundohem të krijoj një vend dramaturgu në teatrin e Tiranës dhe kur të krijohet ky vend do të marr ty Emin si të tillë. Këtë gjë ma ka thënë mbasi u bë drejtor i Teatrit Popullor të Tiranës dhe unë për këtë gjë isha plotësisht dakort.------------------------------------------------------------

Procesverbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos

I arrestuari

Emin Jero

Hetuesi

Elham Gjika

***

Procesverbal

Në Tiranë, më 4 maj 1973

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme marr në pyetje të pandehurin Emin Jero.

Pyetje: Vazhdoni i arrestuar të jepni shpjegime për fajësinë tuaj?

Përgjigje: Përveç sa kam shpjeguar, dua të them se unë nuk kam qenë dakort me luftën që i bënte partia në kohën e tanishme. Teknotizmit e intelektualizmi përbëjnë forcën kryesore të zhvillimit të shoqërisë në ekonomi, art, kulturë etj. për vendin dhe këtë për mua nuk e bënte masa, ashtu siç propagandohej nga partia dhe shteti për rolin vendimtar që luajnë masat në zhvillim. Këtë pikëpamje unë e kisha sepse masat i konsideroja të pangritura e të papregatitura për t’iu përgjigjur zhvillimit që kërkonte koha edhe për vendin tonë. Këtë pikëpamje unë e di që e kam biseduar edhe me persona të tjerë, por me kë, kur dhe si konkretisht, tashti për tashti nuk më kujtohet, do të mendohem dhe do të jap shpjegime.-------------------------------------------------------

Me sa më kujtohet, nga vjeshta e parë e vitit 1972, në një rast, unë, Mihallaq Luarasi dhe Bardhyl Kosova, ishim duke ndenjur në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Këtu mbaj mend që u hap biseda për disa filma televizivë e kinematografikë që kishte prurë Ibrahim Uruçi nga Franca e Italia për t’u çfaqur në vendin tonë. Bardhyli tha që në këto vende është zor të gjesh filma sot simbas koncepteve që janë në Shqipëri, por të jenë filma të realizmit kritik që në një formë apo në një tjetër të kritikojnë borgjezinë. Bardhyli tha se duhet parë kush e bën kritikën sepse sot “hipitë” nuk përbëjnë kritikë. Unë thashë që hipitë janë bijtë e Krishtit. Mihallaqi tha se nuk e kam fjalën vetëm për hipitë, por them për forcat avangardiste që janë ultra të majta të cilët po luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë sot mbasi kërkojnë liri pa kufij që duhet të kenë njerëzit në epokën e tanishme dhe që të mos u kufizohet kjo liri nga askush. Më gjatë kjo bisedë nuk më kujtohet të ketë zgjatur.--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Nga muaji nëndor i vitit 1971, unë së bashku me Bardhyl Kosovën, në Teatrin Popullor të Tiranës kemi parë dramën “Viti ‘61”, kur dolëm nga çfaqja, unë së bashku me Bardhylin dolëm vetëm dhe ecëm një pjesë të rrugës. Gjatë rrugës Bardhyli më propozoi që unë t’i çoja një dramë nga të mijat, sepse më tha se po bënte planin e punës për vitin tjetër dhe më tha se duhet të më biesh jo një dramë me 4-5 vetë, por një dramë të përshtatshme për këtë skenë, pra të jetë një dramë e madhe se na mbytën veprat mediokre, vepra të vogla. Ka ardhur koha që në teatrin popullor të mos vihet çdo vepër, por duhen vepra të mëdha, sepse po merremi me gjera të vogla e mediokre të cilat nuk i përshtaten zhvillimit të kohës. Mbas kësaj u ndamë me Bardhylin se ai shkoi në shtëpi---------------------------------------------------------------

Nja një javë mbas kësaj bisede, unë i kam shkuar Bardhyl Kosovës përsëri në Teatrin e Tiranës dhe i kërkova mendimin për një dramë që mendoja të bëja. Mbasi biseduam në zyrën e tij, meqë ishte kohë dreke dolëm të dy se ai do të shkonte në shtëpi, ndërsa unë në Durrës dhe kemi ardhur deri tek ambasada kubane. Gjatë rrugës ndërmjet të tjerave Bardhyli më thoshte se sot nuk duhen vënë në teatër nga 4-5 drama siç kërkohet në plan, por mjafton që të çfaqet dhe vetëm një apo dy drama, por këto të jenë drama të mëdha, që i kërkon koha. Mund të vihen në teatër dhe drama të vogla por këto nuk kanë rëndësi. Aty jemi ndarë me Bardhylin sepse unë u takova me kunatin tim.---------------------------------------------------------------------------------------

Procesverbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos

I arrestuari

Emin Jero

Hetuesi

Elham Gjika

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›