Durrës, miratohet buxheti i Këshillit të Qarkut për 2009-n
Këshilltarët e Qarkut të Durrësit i kanë dhënë votën “pro” buxhetit të vitit 2009. “Buxheti i këtij viti është më i madh se ai i vitit 2008”, - deklaroi kryetari Seit Kërtusha. Sipas tij: “Fondet e investimeve këtë vit do të shkojnë për rikonstruksionin e godinës së Këshillit të Qarkut si dhe për infrastrukturën rrugore e atë në zonat bregdetare, por edhe për studime në sektorë të ndryshëm”. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Qarkut të Durrësit buxheti për vitin 2009 u miratua me shumicën e votave, madje edhe nga këshilltarët e majtë.
Ai kap shifrën e 163.807.000 lekëve dhe përbëhet nga këto burime financiare, si të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar nga të ardhura të trashëguara nga viti 2008 të cilat kapin shifrën 59.761.737 lekë. Gjithashtu buxheti përbëhet edhe nga të ardhurat e planifikuara për vitin 2009 që parashikohen të arrijnë në 31.000.000 lekë. Granti i akorduar nga qeveria për këtë vit është 62.257.000 lekë. Atij i shtohen edhe 10.931.000 lekë të cilat nuk u përdorën gjatë vitit që kaloi. Shuma në dispozicion për t’u përdorur arrin në 73.046.000 lekë. Në krahasim me vitin që shkoi, buxheti i këtij viti është më i lartë. Në vitin 2008 buxheti ishte 115.128.000 lekë. Këtë vit janë 48.679.000 lekë më tepër. Synimet e Këshillit të Qarkut për vitin 2009 janë vazhdimi i hartimit të politikave lokale dhe rajonale në funksion të zhvillimit ekonomik rajonal duke rritur, forcuar dhe kualifikuar kapacitetet administrative për të përballuar me sukses sfidat e konkurrimit në përfitimin nga projektet vendase dhe të huaja. Investimet do të jenë 2,5 herë më të larta se në 2008-n ose e thënë në vlerë, 55.500.000 lekë. Objektivi kryesor mbetet rikonstruksioni i godinës së Këshillit të Qarkut dhe financimi i studimeve dhe projektimeve në sektorë të ndryshëm. Në sektorin e arsimit do të punohet për decentralizimin e arsimit dhe formimin e arsimit profesional në nivel rajoni.